Jepini një emër Superiores!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 11, 2018 | 21:28

Jepini një emër Superiores!

ARTAN SHYTI

Superliga jonë e futbollit fil lon javën tjetër, por përsëri nuk duket se do të ketë një emër, siç e kanë shumë të tjera që synojnë të marrin para edhe nga ky element. Mes këtyre, edhe Kosova. Sepse Kosova e gjeti përsëri një emër për Superligën e saj të futbollit. Më saktë, e ndryshoi emrin e vjetshëm, sepse Kosova ka disa vite që i ka vënë një emër Ligës së vetë. Dhe, natyrisht, merr parà për këtë.

shyti

Pra, futbolli merr edhe një financim më shumë, sepse Liga do të quhet “IPKO Superliga”, duke marrë emrin e platformës dixhitale në Kosovë. Po pse ne nuk gjejmë dot një kompani shqiptare apo të huaj që t’i japë emrin dhe paratë kampionatit të Superligës së Shqipërisë? Përse është kaq e vështirë që futbolli ynë të gjejë edhe një financues tjetër dhe të mos varet vetëm nga xhepi publik i bashkisë dhe xhepi privat i presidentëve!? Nuk kam dyshuar kurrë në pamundësinë e krijimit të Ligës Profesioniste në futbollin shqiptar. Është tashmë e qartë që edhe ky kampionat do të fillojë pa këtë strukturë, që ka si mision kryesor të garantojë para për klubet anëtare. Dhe është e dhimbshme kur di që një Ligë serioze mund të gjenerojë të paktën 5 milionë euro në sezon, domethënë 500 mijë për çdo klub dhe përsëri nuk duan ta krijojnë. Liga nuk do krijohet, kjo është e qartë. Ka qenë e qartë prej kohësh… bashkë me arsyen kryesore. Po të paktën një emër. Si gjithë të tjerët. Si Kosova, e cila në sport po bëhet modeli që duhet të ndjekim. Edhe në rastin e emërtimit të Superligës, por jo vetëm për këtë. Shumë mirë për Kosovën dhe njëkohësisht, shumë turp për ne. Po sa para bën turpi, kur nuk gjejmë njerëz që turpërohen…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"