Jepen 4 çmime, “Mirënjohje” për atë që mbushi arkat! Dinamo zgjedh më të mirët, grupi “lobon” për Smaçin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 30, 2022 | 22:40

Jepen 4 çmime, “Mirënjohje” për atë që mbushi arkat! Dinamo zgjedh më të mirët, grupi “lobon” për Smaçin

Nuk mund të mbyllej pa një mbrëmje te Dinamo. Skuadra që kryeson Kategorinë e Parë kishte organizuar diçka ndryshe këtë herë. Presidenti Ardian Bardhi dhe ortaku i tij Kristjan Gjidodaj, përveç ekipit dhe stafit, kanë ftuar edhe ish-futbollistët e njohur të bluve ndër vite, me në krye Sulejman Demollarin, Shyqyri Ballgjinin, Iljaz Çeçon dhe të tjerë. Gjatë festës këta emra kanë dhënë mesazhet e tyre, duke folur para grupit.

Collage Maker-30-Dec-2022-10.00-PM

“POKER” ÇMIMESH Për ta bërë edhe më të bukur mbrëmjen, drejtuesit kanë menduar të japin edhe disa çmime për individë të caktuar të skuadrës, sa simbolike aq me vlerë financiare. Konkretisht, janë dhënë 4 çmime, që u kanë takuar portierit Simon Simoni dhe tre mesfushorëve Asion Daja, Erisildo Smaçi dhe Alisio Preloshi. Gardiani nga Lezha ka marrë një titull mirënjohjeje nga ana e klubit. Dhe nuk mund të ndodhte ndryshe, për lojtarin që arkëtoi plot 600 mijë euro në arkat e kryeqytetasve. Pas aktivizimit për një sezon e gjysmë, duke debutuar që në moshën 17-vjeçare në Superiore me fanellën e Dinamos, ka firmosur me Eintraht Frankfurtin në Gjermani.

STAFI ZGJEDH DAJËN Stafi teknik i Dinamos dhe ish-futbollistët e Dinamos ndër vite kanë zgjedhur Asion Dajën si më të mirin deri në këtë pikë të kampionatit. Mesfushori me eksperiencë, i rikthyer këtë sezon në “bazë”, ka qenë një nga kolonat kryesore të skuadrës në këto javë kampionati, ku është dalluar për impenjimin maksimal në fushën e blertë dhe grintën e tij. Pas dëmtimit të Sabien Lilajt, ai ka mbajtur edhe shiritin e kapitenit te blutë. BEFASIA SMAÇI Mesfushori tjetër, Erisildo Smaçi, i ardhur në momentet e fundit të merkatos së verës, është përzgjedhur si lojtari më i mirë pas votimit të vetë lojtarëve të Dinamos. Një befasi kjo, duke ditur që Smaçi më së shumti është aktivizuar nga stoli dhe nuk është se ka qenë vendimtar në ndonjë ndeshje të kryeqytetasve. Pritej që këtë çmim ta fitonte një nga dy sulmuesit e bluve, Taulant Marku ose Hoze Denison, të cilët kanë shënuar respektivisht 9 dhe 7 gola. Të dy këta lojtarë vinin në votim pas Smaçit, që duket se ka “lobuar” fuqishëm.

GOLI I PRELOSHIT Një çmim ka shkuar edhe për mesfushorin e ri, Alisio Preloshi. Është i tij goli më i bukur që Dinamo ka shënuar deri tani. Fjala është për golin që Preloshi realizoi ndaj Turbinës në stadiumin “Selman Stërmasi”. Ai realizoi me një roveshatë të bukur në minutat e fundit, duke i hapur rrugën një fitoreje shumë të rëndësishme për blutë. Një gol shumë të bukur lezhjani e ka shënuar edhe në Peshkopi ndaj Korabit, ku Dinamo barazoi 2-2.

dibnamo (1)

FATJON RUPI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"