“Jemi treshe e frikshme me Markun e Bardhin”, goleadori Ajazi: Ju tregoj ndeshjen më të vështirë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 31, 2019 | 12:32

“Jemi treshe e frikshme me Markun e Bardhin”, goleadori Ajazi: Ju tregoj ndeshjen më të vështirë

Mbyllja e 2019-ës me 7 pikë diferencë nga vendi i dytë e bën Kastriotin të qetë në renditje. Në këtë ecuri të skuadrës krutane ka dhënë kontributin e tij edhe sulmuesi Spartak Ajazi, vendimtar me golat e shënuar në ndeshje të caktuara.

Beselidhja Kastrioti 1-0

Ai e ka gjetur rrugën e rrjetës 6 herë, duke i dhënë pikë të çmuara Kastriotit. Në një intervistë për “Panorama Sport”, Ajazi analizon ecurinë e deritanishme, rivalitetin dhe objektivin personal të skuadrës.

Ajazi, pas 12 ndeshjesh jeni 7 pikë para. A është Kastrioti aty ku e prisnit?

Kemi bërë mirë në pjesën e parë të sezonit dhe deri diku jam i kënaqur. Pavarësisht diferencës +7, s’ka mbarur asgjë, janë edhe shumë ndeshje për t’u luajtur.

Duhet vlerësuar çdo takim, pse jo për t’u shkëputur më shumë nga rivalët. Sa rivalizuese ka qenë gara në këto 12 javë?

Të gjitha skuadrat janë të forta, kanë rivalizuar denjësisht dhe nuk mund ta ndaj asnjërën. Ka garë të fortë, sepse këtë sezon ka një shans edhe ekipi i vendit të dytë, ndaj besoj se do të jetë luftë e fortë. Erzeni, Burreli, Korabi, Besëlidhja apo Egnatia kanë ekip të mirë. Për çdo skuadër është fusha që flet më mirë.

A ka një ndeshje që do të donit ta veçonit?

Ajo me Korabin. Ndeshjet në Peshkopi janë në dukje të vështira. Kundërshtari ishte në pozita të mira dhe tifozëria e ndihmon shumë, ndaj e mendonim shumë të vështirë, por ia dolëm duke e vlerësuar ndoshta më shumë se duhet Korabin.

6 gola të shënuar, po në aspektin personal, a jeni i kënaqur?

Nga ana personale synoj të jem sa më efikas për ekipin. Më duhet të punoj shumë për të qenë në një formë të mirë dhe afër golit në çdo ndeshje. Synoj të shënoj më shumë që të ndihmoj skuadrën, pse jo të jem në krye të listës së golashënuesve.

Me Bardhin dhe Markun në krah, si jeni ndierë?

Marku dhe Bardhi janë dy lojtarët më të mirë që kam luajtur. Ndihem mirë me ta dhe përbëjmë një treshe të frikshme sulmuese mendoj në Kategorinë e Parë. Këtë s’duhet ta them unë, në fakt. Fakti që kam luajtur përkrah tyre dhe një lojtari si Mehmeti, fantazisti që ka ndikuar edhe te golat që kam shënuar, më ka dhënë shumë dorë te Kastrioti.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"