“Jemi tepër egoistë, shikoni shqiptarët punëtorë”, Arrigo Saki: Rama simpatik, por unë s’bëj kurrë “catenaccio”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 2, 2020 | 0:19

“Jemi tepër egoistë, shikoni shqiptarët punëtorë”, Arrigo Saki: Rama simpatik, por unë s’bëj kurrë “catenaccio”

Iizoluar në shtëpinë e tij në Fuzinjano (Ravena, Itali), Arrigo Saki mundohet t’i ruhet “Coronavirus”-it, por mendja e tij është te miqtë dhe futbolli. Ai ka dhënë një intervistë për “La Gazzetta dello Sport” duke mos e pasur mendjen te 1 prilli, data e 74 vjetorit të tij, një ditëlindje që do të donte ta festonte në të tjera rrethana.

Saki55

74 vjeç, por sidoqoftë trajneri mbetet trajner apo jo?

Nuk ka si të ndodhë ndryshe, këto ditë jam shqetësuar për disa ish-futbollistë të mitë të cilët janë prekur nga ky virus i mallkuar. Për fat Maldini është drejt shërimit, e po ashtu Santi të cilin e kam pasur te Atletiko e Madridit. Edhe presidenti Perez i Realit më ka kontaktuar, por jam i shqetësuar për disa miq këtu në Ravena që po luftojnë me vdekjen.

Po ju si jeni?

Jam mirë dhe kjo është hera e parë pas 55 vjetësh që po ndalem. Më vjen keq për ata që po humbin jetën, sepse përveç vuajtjes, po varrosen pa lamtumirën e askujt, sikur të ishin qen. Masat e Italisë erdhën me vonesë, e nuk di sa të vdekur mund të ketë që nuk janë përfshirë në statistika. Është e tmerrshme.

Kjo gjendje ju detyron që “catenaccio”-n ta bëni në shtëpi apo jo?

Jo aspak. Çdo ditë stërvitem dy orë në palestër e më pas bëj ecje rreth shtëpisë e cila më detyron 400 hapa për çdo xhiro. Dal në zonën pranë shtëpisë. Jam i kujdesshëm, por qëndroj në lëvizje, pra aspak “catenaccio”.

Po qenin nuk e nxirrni në shëtitje?

Nuk e kam më. Kisha një qen kufiri trupmadh, por një ditë, rrëzoi një bidon dhe hëngri helm kundër kërmijve. U largua sepse qëntë nuk duan t’i shohin kur ngordhin. Quhej Rud. Një herë pata për vizitë Ançelotin që më dëgjoi duke thirrur qenin më pyeti nëse kisha ftuar edhe Rud Gulitin. Ishte thjesht qeni im.

Edi Rama, kryeministri shqiptar, tha se: “catenaccio nuk mjafton, pandemia duhet sulmuar siç bënte Milani i Sakit.”

E kam takuar. Është një personazh simpatik, i kulturuar, flet 4-5 gjuhë të huaj, ka pasion sportin sepse ka qenë basketbollist. Edhe këtu në Fuzinjano ka shumë shqiptarë. Punëtorë të mëdhenj që janë integruar mirë. Ne italianët e kemi egoizmin në gjak, por ka ardhur koha që Italia të sillet si skuadër e të mos bëjë hile. Çdo ditë duhen falënderuar mjekë e infermier sepse i kemi çuar në luftë thuajse pa asnjë armë.
Si duhet të rinisë futbolli?

Nuk arrij ta mendoj dot, sepse është ndryshe të shohësh ndeshje të vjetra, e krejt gjë tjetër të mendosh për formulën e duhur për kampionatet. Na duhet të mendojmë për lajmet mbi virusin e për njerëzit që po humbin jetën, por ja që kemi nevojë edhe për sport në këtë gjendje në të cilën jemi katandisur. Aktiviteti na ndihmon për moralin.

Flasim pak për Milanin. Albertini, ish-lojtari i juaji, thotë se një ekip ka nevojë për kampionë. Ju si mendoni?

Pikë se pari mendoj se nevojitet një ambient ku lojtarët të kenë krenari dhe ndjenjë përkatësie që i shtyjnë për të dhënë gjithmonë më të mirën. Atalanta nuk kishte kampionë, por u bënë të tillë falë ambientit në klub. Lojtarët normalë u bënë të mirë dhe cilësorët u shndërruar në fantastikë. Vlerat vlejnë më shumë se kampionët.

Çfarë ndodhi me Bobanin?
Nuk e di, por më erdhi keq. Ishte 20 vjeç kur e pashë të luante për herë të parë. Kërkoja një alternativë për Donadonin dhe Zvone ishte i përsosur sepse ishte i fortë si në sulm, ashtu edhe kur duhej mbrojtur.

Ja që nga Milani do të largohet edhe Ibrahimoviçi…

Nuk e mohoj që këtë herë më çuditi. Ardhja e tij i dha kurajë dhe personalitet ekipit. Në fushë është treguar bujar duke dhënë edhe asiste. Personalisht kam pasur ekipe me shumë lojtarë të rinj e gjithmonë kam kërkuar elementë me përvojë.

Kthehemi 33 vite prapa, saktësisht 1 prill 1987. Një javë më pas kishit ndeshjen e kthimit të Kupës së Italisë kundër Milanit…

Stërvisja Parmën dhe në ndeshjen e parë mundëm Milanin në “San Siro”. Fitoja jonë bëri që të shkarkohej Nils Lidholmi. Asokohe, një gazetar pati folur me Berluskonin i cili i kishte thënë shprehimisht: “Trajneri i ri i Milani do të jetë Saki, por mos i thoni gjë.” Gazetari ia kaloi lajmin një kolegu teksa në Parmë mendonin se do ta humbisja ndeshjen e kthimit. Para asaj sfide, në dhomat e zhveshjes, u thashë lojtarëve: “Nëse më thonë që nuk do të shkoj te Milani nëse fitojmë sot jam gati të pranoj.”. Nuk fituam, por as humbëm, sepse me Milanin e Kapelos barazuam pa gola, një rezultat që na kualifikoi për fazën tjetër.

Po nga 1 prilli i 1988-ës çfarë kujtoni?

Dhuratën ma bëri Van Basteni. Luanim ndaj Empolit e nuk po shënonim dot, por ai hyri si zëvendësues në pjesën e dytë dhe na dha suksesin. Driblim dhe goditje nga jashtë zone. Fituam ndeshjen, por edhe një sulmues që do të na dhuronte shumë gëzime.

Ekzaktëissht në vit më pas luanit ndaj Realit dhe ishe në krye të Milanit. Barazuat 1-1 në Madrid.

Rezultat i pamerituar. Na vodhën në atë ndeshje duke anuluar një gol të Gulit për pozicion jashtë lojë, por ai ishte të paktën me 2 metra në pozicion të rregullt. Luajtëm aq mirë sa ajo sfidë u shndërrua në kartëvizitën tonë për botën që kishte mbetur e mahnitur. Sapo të mbaroj intervistën do të shkoj ta shoh përsëri atë ndeshje.

Epo ta mbyllim atëherë. Edhe 100 Arrigo!

Faleminderit. Nuk e ndjej që jam 74 vjeç. Kam vuajtur pak rreth të 60-ave, por sot më duket vetja si fëmijë. Për fat nuk kam pasur kurrë probleme shëndetësore. Me sa duket kanë pasur të drejtë ata që flinin për “fat si i Sakit”.

 REINOLD BAKALLI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"