“Jemi të varur nga zgjedhjet”, Bano: Nëse ka garanci financiare, atëherë do të …

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 28, 2019 | 14:03

“Jemi të varur nga zgjedhjet”, Bano: Nëse ka garanci financiare, atëherë do të …

Artan Bano udhëho qi drejt suksesit Shkumbinin. Edhe pse me shumë vuajtje, peqinasit u rikthyen në Kategorinë e Parë. Ambiciet e trajnerit janë në rritje, e megjithatë jo gjithçka e ka ai në dorë. Në një intervistë të dhënë enkas për “Panorama Sport”, lushnjari “skanon” sezonin që lamë pas dhe flet për të ardhmen. Dëshira për të vijuar bashkëpunimin nuk i mungon, por hapur e thotë se për të ndërtuar një ekip pretendent duhet mbi të gjitha garanci financiare.

Bano Artan ne ndeshjen ndaj Lacit

Shkumbini u ngjit në Kategorinë e Parë, e megjithatë sa i vështirë ishte realizimi i këtij objektivi?

Në radhë të parë, më duhet të them se nuk ishte sukses personal i trajnerit Bano, por i të gjithë faktorëve që lidhen me klubin e Shkumbinit dhe pa harruar tifozërinë e shkëlqyer të Peqinit. Për vetë formatin e kampionatit në Kategorinë e Dytë, u munduam që të përzgjidhnim elementët e duhur brenda qarkut. Por, gjithashtu kishim edhe rivalë dinjitozë me financa madje më të mira se Shkumbini, megjithatë falë dëshirës, vullnetit dhe bashkëpunimit me shefin e klubit, Isaji, dhe kryetarin e bashkisë ia arritëm qëllimit që ta rikthejmë Shkumbinin në Kategorinë e Parë.

U deshën dy ndeshje shtesë që Shkumbini të ngjitej. Patët frikë se ndoshta nuk do t’ia dilnit?

Siç e përmenda më lart, Kategoria e Dytë është një kampionat mjaft i vështirë, me skuadra të cilat në fushat e tyre luajnë një futboll shumë të fortë dhe shpesh të ashpër. Ne ishim kryesues të grupit tonë 5 javë nga fundi, por ndodhi ajo që ndodhi në Delvinë dhe ne humbëm kryesimin. Më pas, në dy ndeshjet shtesë ishte jo vetëm çështje fati, por edhe ngarkesë psikologjike e lojtarëve, megjithatë fatmirësisht përballë Luzit arritëm që të tregojmë eksperiencën tonë dhe ta fitojmë sfidën.

A do të vazhdoni të qëndroni në krye të Shkumbinit?

Më duhet ta them se në këto dy sezone unë personalisht jam ndier shumë mirë në Peqin. Është një ambient që jeton me futbollin dhe me një tifozëri që realisht bën shumë për skuadrën, duke e mbështetur në çdo aspekt. Në këtë kontekst, dëshira ime është që të vazhdoj të punoj edhe për sezonin e ri, por jo gjithçka varet prej meje. Mendoj se do të presim përfundimin e zgjedhjeve vendore, pasi Shkumbini është një klub në varësi të bashkisë. Prandaj, le t’ia lëmë kohës këtë diskutim.

Shkumbini

Nëse do të ketë sërish bashkëpunim mes Shkumbinit dhe Banos, cilat do të jenë objektivat për sezonin e ri?

Nëse flasim nga ana profesionale, dihet që kampionati i Kategorisë së Parë është një nivel më i lartë dhe me skuadra realisht të mira. Pikësëpari, unë do të ritheksoj faktin se duhet siguruar aspekti financiar, pasi gjithçka tjetër lidhet pikërisht me të buxhetin.

Nëse do të sigurohet baza financiare, atëherë stafi teknik do të përzgjedhë elementët e duhur në merkato, do të bëhet plani i fazës përgatitore dhe më pas parashtrohen edhe objektivat që do të ketë ekipi për sezonin e ri. Siç e thashë më parë, presim të shohim sesi do të zhvillohen çështjet e tjera dhe më pas mund të flasim sërish për të ardhmen dhe objektivat e Shkumbinit.

FATMIR AHMETI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"