“Jemi të urritur për fitore”, Lushkja: Dua të jem lider, ja pse ka pak tifozë në stadium

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 28, 2019 | 13:13

“Jemi të urritur për fitore”, Lushkja: Dua të jem lider, ja pse ka pak tifozë në stadium

Regi Lushkja i vuri “vulën” fitores së Laçit. Është i lumtur për golin, por më shumë për pikët e marra. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, mesfushori që ka marrë shiritin e kapitenit, rrëfen metamorfozën e skuadrës. Pikët e marra në këtë takim flasin shumë.

bandicam 2019-10-27 14-18-00-126

Shpresoni te vazhdimësia?

Në këtë përballje kemi marrë pikët që kemi lënë rrugës. Besoj se tani kemi kapur ritmin e duhur dhe kjo na kënaq shumë.

Sa ka ndikuar ndryshimi në stol?

Kemi kaluar një periudhë shumë të mirë me Starovën, madje dhe në Europë. Por më pas, gjërat nuk shkuan si duhej. Futbolli kështu e ka. Tani me Cungun, ekipi është më i motivuar dhe kjo është e dukshme. Kemi më shumë uri për fitore.

Gjashtë gola në dy ndeshje, edhe sulmi është çliruar…

Besoj se kemi kapur ritmin e duhur. Trajneri i ri na ka injektuar besimin dhe po del në pah puna e çdo lojtari. Sa i përket golit tim, më ka motivuar për të ecur përpara e për të ndihmuar sa më shumë ekipin, por edhe mua më duhet vazhdimësi.

lushkja

Cilët janë objektivat e Laçit?

Mendoj se nuk është koha të flasim për këtë tani. Duhet të marrim çdo ndeshje me radhë dhe të japim maksimumin.

Ju është besuar shiriti i kapitenit pas dëmtimit të Gjonit. Si ka ndikuar kjo te ju?

Po, është e vërtetë që pas dëmtimit të kapitenit tonë, shiriti m’u besua mua. E konsideroj nder dhe privilegj. Kjo më vë para përgjegjësisë për të punuar më shumë, që të arrij të bëhem një lider i vërtetë.

Pse ka pak tifozë në stadium?

Kemi bërë një start të kampionatit që lë shumë për të dëshiruar dhe sigurisht që kjo ka ndikuar te numrit i tifozëve. Do të kthehemi aty ku na takon, ndaj shpresoj që mbështetja e tyre të jetë masive.

/PANORAMASPORT.AL/

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"