“Jemi të shpërqendruar para portës”, Abazaj: Grup “ferri”, por Pogradecin llogariteni… kryesues

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 18, 2020 | 14:07

“Jemi të shpërqendruar para portës”, Abazaj: Grup “ferri”, por Pogradecin llogariteni… kryesues

Pogradeci “ngeci” në të parën, e megjithatë Ardian Abazaj nuk e bën dramë. Ai nuk ka në plan që të dorëzohet që në start, edhe pse parashikon një grup “ferri” me kundërshtarë si Egnatia, Lushnja, Besa, Tomori e Flamurtari. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport” ai analizon me detaje çfarë nuk shkoi kundër kavajasve dhe pritshmëritë përballë rrogozhinasve. Skuadra shpërdoron, por 52-vjeçari paralajmëron se shumë shpejt do të vijnë golat dhe fitoret.

Abazaj222

Pogradeci la tri pikë që në start. Ju mundon ky fakt?

Të jem i sinqertë, u shqetësova. Nuk e meritonim humbjen. Kishim raste pa fund dhe jemi ndëshkuar në dy momente, që u bënë edhe përcaktuese. Gjithsesi, më qetëson fakti se e njoh mirë forcën e këtij ekipi dhe do të rikuperojmë gjithçka.

Çfarë nuk shkoi mirë kundër Besës?

Përqendrimi para portës. Më pas gjithçka shkoi maksimalisht shumë mirë. Tashmë ekipi e ka të qartë se nga duhet të nisë kthesa.

Është thjesht çështje sulmuesish apo diçka më shumë?

Jo, kjo nuk lidhet shumë me emrat e përveçëm të sulmuesve. Është thjesht çështje shpërdorimi. Kujtoj që ne kemi në ekip dy nga sulmuesit më të mirë të grupit dhe do ta shihni shpejt këtë. Kam besim te Dragoi dhe Topllari, por pres edhe nga Shkullaku, Liçkollari, Jahaj dhe të tjerët që të shënojnë.

Edhe pse është shpejt për të folur për këtë, keni pasur ndonjë moment që ju ka lëkundur në lidhje me objektivin?

Në fillim të fazës përgatitore, nuk e dija se deri ku mund të shkonim. Me kalimin e javëve edhe paraqitjeve në miqësoreve, e kuptova se ne luftojmë për vendin e parë. Kjo nuk është thjesht dëshirë imja, por bindje e të gjithëve se këta djem, falë punës plot pasion dhe dëshirës së madhe, do të arrijnë te kreu.

E parashikoni të vështirë takimin e radhës, atë me Egnatian pretendente?

E kam thënë që ky grup është grupi i ferrit. Nuk ka ekip të lehtë për t’u mundur, kështu që ne do të luajmë shumë fort dhe do të derdhim shumë djersë për një fitore. Kështu do të jetë çdo javë. Nuk ka asnjë moment për të ulur ritmin, përkundrazi diferenca, sipas meje, do të bëhet me ato ekipe që janë në rritje dhe kanë vazhdimësi.

Shumë futbollistë të rinj në ekip, strategji apo pamundësi për afrime?

Filozofia ime është të mbështetem mirë te djemtë e rinj pogradecarë, por që do të përfitojnë përvojë të mjaftueshme. Burimi im i frymëzimit në këtë ekip do të jenë futbollistët e rinj, por kjo nuk do të thotë se s’kemi bërë afrime dhe nuk duhen bërë. Kemi katër futbollistë të afruar këtë sezon.

Cili ekip është më favoriti këtë sezon?

Po e filloj me Pogradecin (qesh). Unë e thashë dhe më lart, grupi ynë është shumë i fortë. Përballë do të kemi kundërshtarë për t’u respektuar.

ROMEO XINXIFI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"