“Jemi të lumtur për fitoren ndaj Apolonisë, por nuk ka vend për eufori”, Gurishta: Vllazninë e kanë frikë, ndërsa Kombëtarja…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 19, 2021 | 17:25

“Jemi të lumtur për fitoren ndaj Apolonisë, por nuk ka vend për eufori”, Gurishta: Vllazninë e kanë frikë, ndërsa Kombëtarja…

Ai është lideri në fushë i kësaj Vllaznie. Kapiteni 25-vjeçar, Erdenis Gurishta, është jo vetëm një siguri e madhe në prapavijë, por edhe një lojtar ndër më të mirët në fashën e djathtë në kampionatin shqiptar. Natyrisht, i gëzuar për fitoren e thellë në Fier, por edhe i matur për javët e mbetura, kapiteni shkodran nuk e fsheh optimizmin për përmbylljen e një sezoni të suksesshëm për Vllazninë. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, mbrojtësi Gurishta është shprehur:

GURISHTA

Gurishta, rikthim i frikshëm i Vllaznisë me 6 gola, edhe pse ndaj skuadrës së fundit. E mbani dot këtë ritëm në fazën finale të kampionatit?

Sigurisht që jemi të kënaqur me paraqitjen ndaj Apolonisë, por nuk duhet të ketë vend për eufori. Jemi në rrugën e duhur, por kemi edhe 8 finale në kampionat dhe do të përgatitemi në maksimum që në çdo ndeshje të marrim maksimumin. Gara është e fortë.

Finalistë të Kupës dhe ndër pretendentët kryesorë për titull. A ka forca kjo Vllazni që t’u shkojë gjer në fund me trofe të dyja kompeticioneve?

Realisht, kalimi në finale na ka dhënë besim dhe shumë optimizëm, ndaj duhet ta shfrytëzojmë këtë moment që po kalojmë. Vëmendja jonë kryesore është në kampionat, pasi finalja e Kupës ka kohë, kështu që do të bëjmë maksimumin këto 8 ndeshje të mbetura, që t’i rikthejmë Vllaznisë atë që i mungon prej shume vitesh.

Cilës skuadër i trembeni më shumë nga rivalet?

Të gjitha skuadrat janë në lojë dhe mendoj se vendi i parë shpeshherë do të ndërrohet gjer në fund të kampionatit. Ne nuk i trembemi asnjërës dhe mendoj se ekipet e tjera duhet t’i frikësohen Vllaznisë.

Vllaznia, “dashuri e përjetshme” e kapitenit apo “kurrë mos thuaj kurrë”?

Që t’i themi gjërat troç: Unë Vllazninë për ekipet shqiptare nuk do ta ndërroja asnjëherë, po të ishte çdo gjë në dorën time, por jemi profesionistë dhe së ardhmes nuk i dihet.

Gurishta dhe Kombëtarja… E ëndërroni, e prisni një ftesë, e shihni si të mundshme?

E kam thënë edhe më përpara: Po të bësh hapin duke u larguar jashtë Shqipërisë, je më afër Kombëtares… Gjithsesi, fanellën e Kombëtares e dëshiron çdo futbollist dhe këtu nuk bëj përjashtim as unë, kuptohet.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"