“Jemi të etur për kupa”, Lorenco Vila: Do jap 120% me Shpresat

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 31, 2020 | 16:12

“Jemi të etur për kupa”, Lorenco Vila: Do jap 120% me Shpresat

Lorenco Vila ishte “heroi” i Teutës në finalen e Kupës së Shqipërisë. Ndëshkoi bardheblutë dhe solli një trofe në Durrës për 100-vjetorin. Nga ajo finale ka kaluar një muaj, e megjithatë sot do të ndeshen sërish. Këtë herë do të diskutojnë Superkupën dhe mesfushori e thotë hapur që do edhe një tjetër kupë.

lorenco vila

Sezoni perfekt i 21-vjeçarit po shpërblehet, pasi tashmë ka marrë ftesë edhe nga Shpresat. Ai e quan një shans dhe në intervistën e dhënë dje për “Panorama Sport” deklaroi se do të japë 120% në fushë me fanellën kuqezi.

E besoni që e kaluat Beitarin dhe jeni në turin e dytë të Ligës së Europës?

Shorti na përballi me një kundërshtar realisht të fortë dhe për këtë jemi të vetëdijshëm. Ata ishin vërtet favoritë, e megjithatë ne kurrë nuk e humbëm besimin. Dhe u shpërblyem, pasi ishim ne që e kaluam me sukses këtë 90-minutësh.

Çfarë kishit ju më shumë se izraelitët?

Beitar ishte ekip i rrezikshëm dhe na shkaktoi shumë probleme, sidomos në fillim të ndeshjes. Ata ishin shumë të fortë teknikisht dhe kishin lojtarë shumë të shpejtë. Edhe këtë e dinim gjithashtu, ndaj trajneri kërkoi nga ne të mos e humbnim shpesh topin. Për fat të mirë goli na dha besim dhe na ngriti moralisht.

Por nesër (sot) do të zbrisni në fushë, për të luajtur finalen e Superkupës. E dëshironi edhe një trofe?

Jemi në kohë për të fituar çdo trofe. Sigurisht që është bukur të kesh sa më shumë të tillë. Nuk mendoj se është lakmi, është njerëzore të kërkosh të fitosh sa më shumë trofe.

I lumtur për ftesën e marrë nga Shpresat?

Jashtëzakonisht i lumtur për këtë ftesë. U bë një kohë e gjatë që po luaj rregullisht dhe kam bërë ndeshje të mira me klubin. Të them të drejtën e kam pritur një ftesë dhe tani që erdhi, më lumturoi. Ndjesia është e veçantë kur luan me Kombëtaren. Sado të jetë minutazhi që do të më mundësohet, në fushë do të jap 120% për fanellën kuqezi.

Pak ditë më parë u hodh edhe shorti i Superiores. Sezoni për Teutën nis me Skënderbeun, jeni të kënaqur?

Kalendari ishte i mirë. Fillimisht presim Skënderbeun e më pas kemi dy duele të forta me Tiranën dhe Kukësin. Por deri në shtator ka kohë, tani jemi të përqendruar te Kupa dhe Europa.

Z.Qypi – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"