“Jemi përgatitur në maksimum për ndeshjen ndaj Kukësit”, Kamarata pranon dështimin: Më shërbeu shumë ky sezon

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 13, 2021 | 12:25

“Jemi përgatitur në maksimum për ndeshjen ndaj Kukësit”, Kamarata pranon dështimin: Më shërbeu shumë ky sezon

Apolonia do të presë Kukësin pa ndonjë ngarkesë apo presion për rezultatin, pasi nuk ka më punë me objektivat. Në Fier kanë filluar të mendojë për sezonin e ardhshëm një kategori më poshtë dhe këto ndeshje të fundit në Superiore po u shërbejnë drejtuesve për të rritur lojtarët e rinj të skuadrës, që kaluan një edicion të vështirë dhe të pasuksesshëm. Trajneri i Apolonisë, Fabricio Kamarata, nuk dëshiron shumë të merret me atë që do të ndodhë pas këtij kampionati, por këmbëngul që ekipi i tij të bëjë një performancë sa më të mirë në këto katër javë të mbetura.

kamarata

“E pranojmë që mbijetesa është e pamundur, por nuk e kemi mbyllur kampionatin. Shqetësimi dhe përkushtimi ynë në këto javë të mbetura, është që të përfaqësohemi sa më denjësisht dhe t’i shërbejmë forcimit dhe rritjes së mëtejshme të lojtarëve tanë. Për mua çdo përvojë është e vlefshme, aq më tepër kur drejton një skuadër në Superligë. Më ka shërbyer shumë ky kampionat superior, por sigurisht që më vjen keq që nuk arritëm të mbijetonim.

Megjithatë, edhe dështimet shërbejnë për të marrë mësimin e duhur”, ka thënë fillimisht Kamarata për “Panorama Sport”. Për ndeshjen sotme me Kukësin, numri një i stolit fierak e ka të qartë se çfarë kërkon nga skuadra e tij.

“Ekipin e kemi të plotë dhe nuk kemi pasur asnjë shqetësim gjatë këtyre ditëve. Jemi përgatitur në maksimumin tonë dhe e kemi marrë me seriozitetin e duhur ndeshjen e radhës. Kukësi është një skuadër e fortë dhe nuk kanë presion në lojën e tyre, por edhe ne nuk vuajmë nga ngarkesat e panevojshme dhe do të luajmë të qetë, por jo duke lëshuar në lojë.

Ekipi i ka mundësitë për të treguar vlerat e veta, pasi nuk vuan nga ndonjë trysni psikologjike. Pres një ndeshje të bukur dhe të rivalizuar. Kam shpresa të mëdha që do të jetë skuadra jonë ajo që do të dalë fituese. Por le t’ia lëmë fushës më mirë”, përfundoi italiani.

BUJAR RAMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"