“Jemi një hap para”, Kashami komenton ditët e para të stërvitjes: I dhamë fund me… provat

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 31, 2021 | 23:35

“Jemi një hap para”, Kashami komenton ditët e para të stërvitjes: I dhamë fund me… provat

Besa nisi përgatitjet për sezonin 2021-2022 dhe mes emrave me peshë si Tafili&Co, ajo që ra në sy ishte numri i madh i të rinjve. Ndriçim Kashamin nuk e shqetëson ky fakt, pasi me situata të tilla është ndeshur edhe kur drejtonte Apoloninë apo Besëlidhjen. Gjatë një prononcimi të dhënë për “Panorama Sport”, trajneri evidenton se kavajasit janë një hap para skuadrave të tjera dhe kjo e gëzon.

kashami

“Shumica e klubeve në këtë moment janë të paorganizuara, ndërsa ne kemi nisur stërvitjen dhe kemi gati mbi 6 titullarë me përvojë në elitë. Kemi edhe Kainën, i cili do të na bashkohet këto ditë. Prezenca e shumtë e të rinjve nuk më shqetëson, pasi kemi gjithë kohën e duhur për të ndërtuar atë Besë që Nexhat Bizhdili ka premtuar.

Ne si staf teknik jemi në kontakt çdo ditë me presidentin dhe shkëmbejmë mendime lidhur me futbollistët që mund të vijnë te ne. Kreu i klubit e ka bërë të qartë se vetëm me aprovimin e stafit teknik, një futbollist do të mund të bëhet pjesë jona. Në këtë kuadër, nga dje askush nuk mund të vijë më në provë te Besa.

Vetë emri, objektivat tona, nuk na lejojnë të testojmë dhjetëra lojtarë që hapur kërkojnë të vishen verdhezi”, tha tekniku, që saktëson se ekipi krahas senatorëve të vjetër, ka nevojë për gjak të ri.

“Duhet patjetër të gërshetojmë përvojën me të rinjtë e talentuar, pasi duhet që lojtarët të vrapojë 90 minuta pa u lodhur. Dikush duhet të dirigjojë e administrojë lojën sipas fazave të saj. Mjafton t’u kujtoj se sezonin e shkuar gabuam në disa ndeshje dhe iu larguam objektivit. Unë nuk i paragjykoj të rinjtë, përkundrazi i përkrah, i mbështes, sikurse bëra tek Apolonia me Mihanën, Gjatën e të tjerë.

17-vjeçarë luajtën herën e parë me Besën futbollistë si Cara, Lyshkja, Deliu, Dajsinani e të tjerë, që sot luajmë plot dinjitet në Superiore. Pra, nëse një i ri ka talent e të ardhme, Kashami do ta mbështesë, por jo vetëm se është ri në moshë. Ndaj, jua thash që në fillim se Besa në këto momente po vijon stërvitjen e po studion me imtësi çdo lojtar që do të afrohet. Prisni e do të shihni atë Besë që presin të gjithë”, përfundon trajneri Kashami.

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"