“Jemi në rrugën e duhur”, Magani flet pas fitores në Lushnje: Në Superiore hyjmë si të barabartë!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 1, 2021 | 16:31

“Jemi në rrugën e duhur”, Magani flet pas fitores në Lushnje: Në Superiore hyjmë si të barabartë!

Egnatia fitoi testin në “Roza Haxhiu” dhe për Gugash Magani gjërat janë në rrugë të mbarë. Trajneri tha se miqësorja ia vlejti, ndonëse konsolidimi do të arrihet më tutje. Gjatë intervistës së dhënë pas ndeshjes, peqinasi paralajmëroi se rrogozhinasit do të bëjnë surpriza në elitë.

egnatia

Ia arriti qëllimit kjo miqësore?

Synimi ishte që të shikojmë gjendjen tonë. Jemi një skuadër e riformatuar në shumicën e përqindjes, për të parë lojtarët në pozicionet e veta.

Ku ishit më shumë dhe më pak i kënaqur?

Te pjesa e seriozitetit jam i kënaqur. Tek pjesa e performancës nuk jam i kënaqur. Mund të them vetëm kaq, që lojtarët ishin shumë të ngarkuar. Mëndja nuk komandon këmbët. Dëshira është shumë e madhe, por nuk është mundësia. Nuk është akoma gjendja e duhur fizike.

Si është gjendja e Egnatias deri në këtë pikë të fazës?

Mendoj se na vlejti ky test. Jo vetëm ne, por edhe Lushnjës. Jemi në fazën e parë të përgatitjeve. Fazën e dytë e fillojmë ditën e hënë në Ohër. Natyrshëm, që do të vazhdojmë me ndeshje miqësore. Që lojtarët ta njohin mirë njëritjetrin.

U njohët me kalendarin, të kënaqur?!

Për mua të gjitha skuadrat e Superiores janë të forta. Të gjitha pa përjashtim. Kemi ndeshjen e parë brenda me Kukësin. Një skuadër që dihet se çfarë kapacitetesh ka. Do të futemi me çdo skuadër si të barabartë dhe do të ketë surpriza rrugës

ALBAN ALUSHI-PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"