“Jemi në krizë”, Alibegaj: Ja risitë që do sjell në Kombëtare

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 1, 2019 | 23:22

“Jemi në krizë”, Alibegaj: Ja risitë që do sjell në Kombëtare

Vetëm disa ditë më parë, Federata Sh qiptare e Basketbollit emëroi trajneren e re të Kombëtares së femrave, e cila do të jetë Mirza Alibegaj, që prej vitesh ka punuar me kombëtaret e moshave. Mirza do të ketë përpara një mision të vështirë, pasi do të marrë drejtimin e një skuadre që prej vitesh regjistron rezultate shumë të dobëta. Por kjo gjë duket se nuk e dekurajon aspak ish-basketbollisten e Kombëtares.

alibegaj

Në një intervistë për “Panorama Sport”, Alibegaj tregon se si e ka pritur emërimin në krye të kombëtares dhe flet gjithashtu për objektivat e Shqipërisë së basketbollit të femrave. Kujtojmë që Kombëtarja kuqezi bën pjesë në grupin E me Serbinë, Turqinë dhe Lituaninë, në para-eliminatoret e Euro 2021.

Si ndiheni tashmë që ju kanë besuar ekipin kombëtar të të rriturave? E prisnit këtë emërim?

Mendoj se të ftohesh në drejtimin e ekipit Kombëtar është një nder shumë i madh dhe një vlerësim i punës që ti bën. Kjo është një sfidë për mua, një ëndërr që u bë realitet, ku padyshim nuk do të kursej energjitë e mia mendore e fizike për t’i shërbyer basketbollit të femrave. Unë kam qenë pjesë e ekipit përfaqësues si lojtare dhe tani më ngarkohet detyra si trajnere.

Sigurisht e kam pritur me shumë kënaqësi këtë emërim, pasi është një vlerësim i madh dhe besim nga ana e FSHB-së dhe presidentit Ponari. Ky emërim ka ardhur natyrshëm, pasi unë kam disa vite që punoj me ekipet kombëtare të moshave U-18. Federata e Basketbollit ka investuar ndër vite për ekipet kombëtare të moshave dhe natyrisht po realizon një projekt shumë ambicioz për rindërtimin e strukturës së ekipeve kombëtare. Ky fakt më bën që ta shikoj me shumë përgjegjësi dhe besim këtë detyrë.

Cilat janë objektivat e kombëtares?

Në ecurinë e punës së bërë deri më tani, objektiv parësor është ristrukturimi dhe ripërtëritja e skuadrës kombëtare. Në shërbim të kësaj filozofie do të vazhdojmë me insistim për të garantuar perspektivën e përfaqësimit të vendit në basketboll për femra.

Sa e vështirë është për ju drejtimi i një ekipi që prej shumë kohësh vuan rezultate të dobëta?

Duke ju referuar rezultateve të deritanishme, basketbolli ynë është në krizë të thellë dhe ka vite që po prezantohet jo mirë në arenën ndërkombëtare. Pikërisht për këtë, ne do të punojmë me një plan të detajuar afatgjatë dhe shkencor për të realizuar objektiva konkrete, një skuadër kombëtare me vajza të reja të talentuara, të cilat plotësojnë parametrat e kohës. Pra, kemi ofruar elementin e ri për të krijuar një bazë solide për shumë vite.

Sigurisht, në themel do të jetë puna si rrugë e vetme që do të garantojë të ardhmen. Periudha në të cilën unë po marr drejtimin e ekipit kombëtar nuk është aq e favorshme, por ky fakt më shton akoma më shumë forcat që të bëj maksimumin për t’i shërbyer vendit tim. Ndryshimi nuk vjen sa hap e mbyll sytë, por do kohën e tij, kohë e cila ka filluar disa vite më parë.

Cilat janë risitë që do të sjellë në kombëtare Mirza Alibegaj?

Një skuadër të freskët, të re në moshë dhe me ambicie për të ardhmen.

Sa i njihni kundërshtarët?

Kundërshtarët tanë janë ekipe shumë të forta dhe bëjnë pjesë në elitën e basketbollit europian dhe botëror. Janë skuadra që renditen në vendet e para në renditjen botërore dhe të pakrahasueshme me ne, pasi ekipi ynë klasifikohet në ekipet amatore. Basketbolli i femrave ka evoluar së tepërmi në disa drejtime, por basketbollistet tona të reja nuk kanë eksperiencën e duhur ndërkombëtare dhe sigurisht e kanë të vështire përballjen me këto skuadra. Kjo do të thotë që pritshmëritë tona ndaj këtyre ndeshjeve nuk janë shumë të mëdha. Këto takime do të na shërbejnë për eksperiencë, duke synuar më të mirën e mundshme dhe për të arritur një paraqitje sa më të mirë të lojtareve të perspektivës.

Çfarë i mungon sot basketbollit të femrave në vendin tonë?

Basketbollit tonë i mungojnë fondet e pamjaftueshme, infrastruktura, baza materiale, staf i gjerë teknik dhe mjekësor i kualifikuar dhe profesionalizmi, nëse do ta krahasojmë me botën. Me projektin e nisur jemi shpresëplotë për një ndryshim dhe një përfaqësim sa më dinjitoz.

Cili është mesazhi juaj për lojtaret?

Basketbolli është një nga sportet më të njohura në vendin tonë dhe në botë. Edhe pse shumë shpejt mund të fitojnë aftësitë themelore për të luajtur basketboll, për t’u bërë lojtare me të vërtetë të afta, duhet të bëjnë shumë stërvitje dhe me përkushtim. Duhet të kenë motivimin e duhur, i cili është përbërësi kryesor për të vazhduar më tej për përmirësimin e aftësive të tyre. Duhet të kenë ato cilësi të dobishme që kanë vlera motivuese për basketbollin.

Duhet mos të heqin dorë kurrë nga ëndrrat, pavarësisht se sa e dhimbshme mund të jetë rruga që kanë nisur. Së fundi, do të falënderoja të gjithë trajnerët e basketbollit të femrave për punën e kryer. Një urim dhe sezon të mbarë e në të njëjtën kohë ju premtoj se do të jem me të gjithë shumë bashkëpunuese, që basketbolli i femrave të zërë vendin që i takon.

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"