“Jemi mirë psikologjikisht”, Daja: Dihen vlerat e Jashanicës, por nuk është në kulmin e vet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 26, 2020 | 11:13

“Jemi mirë psikologjikisht”, Daja: Dihen vlerat e Jashanicës, por nuk është në kulmin e vet

Skënderbeu do të luajë të shtunën në orën 14:00, një ndeshje tepër të vështirë ndaj Vllaznisë në transfertë. Korçarët vazhdojnë përgatitjet për këtë takim, teksa i disponueshëm do të jetë edhe Jashanica.

Daja

Ilir Daja ka folur për ndeshje tepër të rëndësishme dhe gjendjen e ekipit. “Jemi në një moment të mirë psikilogjik sepse vijmë nga një fitore e rëndësishme dhe një seri ndeshjesh të mira, pavarësisht se kemi një gjendje jo të mirë nga dy-tre lojtarë me grip. Kemi Pollozhanin dhe Imamin të dënuar nga kartonët, por po punojmë me Jashanicën e rikthyer”, shprehet trajneri për “Korça Report”.

Më tej ai shton: “Dihen vlerat e Jashanicës sepse i ka të shprehura në fushë por edhe në kompeticionet europiane. Natyrshëm që nuk e presim në kulmin e vet, por dimë dhe kemi siguri se është një pikë shumë e fortë për ekipin. Do të deshim të vijë sa më shpejt në formën e tij më të mirë”.

Vllaznia dhe gjenda e ekipit? “Të gjithë lojtarët janë në dispozicion. Do fillojmë të ndërtojmë manovrën për t’iu përgjigjur Vllaznisë sepse luan mirë dhe me mbështetjen e publikut të vet motivohet maksimalisht. Edhe ne duhet të kemi të njëjtën dozë motivimi, të paktën atë që kemi shprehur në pjesën e dytë të kampionatit”.

“Një pjesë e lojtarëve janë nga ata që kanë punuar edhe më parë me mua. Pozitiv është fakti që edhe tek lojtarët e rinj ka njëfarë rivaliteti, sepse u është dhënë mundësia dhe po paraqiten mire”, përfundon trajneri i korçarëve.

/PANORAMASPORT.AL/

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"