“Jemi miq, por e mund Cungun”, Martini: Laçi ka kundërsulm të mirë, ja çfarë pres në merkato

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 21, 2020 | 10:08

“Jemi miq, por e mund Cungun”, Martini: Laçi ka kundërsulm të mirë, ja çfarë pres në merkato

Rikthehet kampionati pas një muaji mungesë. Teuta do ta nisë 2020-ën në shtëpi dhe përballë Laçit. Do të jetë një duel shkodranësh në pankina, pasi Edi Martinit do t’i duhet që të sfidojë Armando Cungun. Edhe pse janë shokë, në fund trajneri i durrsakëve paralajmëron se do ta mundë. Profesionalizmi është parësor kur vjen puna te futbolli dhe mbi të gjitha kur skuadra e tij ka pretendime të mëdha për këtë sezon. E ka të qartë se janari nuk ofron shumë alternativa, e megjithatë në intervistën e dhënë dje për “Panorama Sport” saktësoi se pret ende një mbrojtës dhe një sulmues.ed-martini

Martini a ishte kjo minifazë një mundësi për të njohur të gjithë lojtarët?

Kemi bërë një fazë përgatitore shumë intensive. Jemi stërvitur gjatë gjithë kësaj periudhe me nga dy seanca në ditë dhe ekipi gëzon një formë të mirë. Përjashtim bën Arapi, që sikundër edhe dihet ka pasur një dëmtim. Pjesa tjetër e skuadrës është OK nga ana fizike. Prej disa ditësh e kemi ulur ngarkesën dhe jemi bërë gati për ndeshjen e parë të 2020-ës. Jam i kënaqur me atë çka kanë dhënë në stërvitje të mitë dhe besoj e shpresoj se do t’i bëjmë një rinisje të mirë kampionatit.

E nisni me Laçin dhe përballë do keni Armando Cungun, një duel shokësh dhe shkodranësh…

Çdo ndeshje është e vështirë, përballë kujtdo skuadre qoftë. Laçi është një ekip që ka një kundërsulm mjaft të mirë, ka lojtarë të shpejtë dhe me eksperiencë. Gjithsesi, mendoj se i kemi marrë masat e duhura. Me Cungun jemi shokë, por ne jemi profesionistë dhe duhet të bëjmë punën mirë. Sido që të shkojë ndeshja, ne do të jemi prapë miq. Teuta ka pasur disi probleme në përballjet e fundit me kurbinasit, por unë nuk mendoj se kjo do të ndodhë edhe këtë herë.

Ka pasur afrime dhe largime dhe kryesisht në sulm. Mendoni se mungesa e golit është zgjidhur me ardhjen e Idelino Gomes Kolubali?

Merkatoja nuk është mbyllur ende. Deri më 31 janar do shihni prurje të reja. Ne jemi në kërkim, por merkatoja e janarit është mjaft e vështirë. Rivalët tani si Tirana, Partizani apo Kukësi po investojnë shumë këtë sezon. Neve nuk na ka munguar ana financiare, por është shumë problematike gjetja e lojtarëve cilësorë në këtë periudhë. Megjithatë, unë besoj se deri në fund të muajit do kemi të tjera prurje.

Cili është moduli ose loja që mund të sjellë produktivitetin e Teutës para portës?

Dy ndeshjet që kemi zhvilluar nën drejtimin tim, me Partizanin dhe Flamurtarin, kemi dalë shumë herë para portës dhe kemi shënuar katër gola. Duhet të mbajmë atë ritëm në finalizim. Golin nuk e bën vetëm sulmuesi, por e bën i gjithë ekipi, pavarësisht se është sulmuesi ai që shtyn topin në rrjetë. Gjithsesi, ne duhet të jemi më ofensivë si ekip, duhet të çojmë shumë lojtarë para portës e më pas pak rëndësi ka kush e shënon golin. Unë kam besim se këta djem do afrohen te porta dhe do të shënojnë të gjithë.

Duke parë kalendarin e fazës së dytë, duket se fati i buzëqesh Teutës. Nga pesë ndeshje, katër do t’i luajë në shtëpi. Do ta shfrytëzoni këtë fakt për të tentuar më shumë, ndoshta titullin kampion?

Ne kemi një objektiv të vetëm, që unë me drejtuesit kemi rënë parimisht dakord. Duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë e të mos fluturojmë. Ne kërkojmë Kupat e Europës. Por, duke parë që Partizani, Tirana, Kukësi, Laçi, Skënderbeu, por dhe Bylisi janë ekipe që pretendojnë diçka të tillë, lufta edhe për Europë bëhet shumë e fortë. Teuta ka katër ndeshje brenda dhe do jetë e lehtë, por të mos harrojmë që presioni bie mbi ne në këto raste, sepse na duhet rezultati me çdo kusht. Unë kam punuar me çunat dhe do vazhdoj të punoj që ndeshjet të merren një e nga një. Të mos mendojmë sot për pas një muaji. Tani rëndësi kanë tri pikët me Laçin. Më pas mund të flasim për ndeshjet e tjera.

 Mund të na zbuloni diçka më shumë rreth afrimeve që priten?

Do të përforcojmë si sulmin, ashtu edhe mbrojtjen. Jam i sigurt se do shtojmë alternativat dhe cilësinë në këto dy reparte. Shpresoj që brenda pak ditësh të mbyllen marrëveshjet dhe do t’i mësoni emrat që do të jenë pjesë e Teutës.

ZAMIR QYPI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"