“Jemi më të fortë se vitin e kaluar”, Kallaku flet si kapiten: Arapi më përgëzoi, kemi formë më të mirë se Partizani

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 10, 2021 | 10:37

“Jemi më të fortë se vitin e kaluar”, Kallaku flet si kapiten: Arapi më përgëzoi, kemi formë më të mirë se Partizani

Mesfushori i Teutës, Sherif Kallaku, ishte i pranishëm në konferencë për shtyp në krah të trajnerit Martini në prag të sfidës kundër Partizanit. Tashmë kapiten i ekipit, Kallaku e vlerësoi në maksimum kundërshtarin, si dhe tregoi ndjesinë e tij për faktin që tashmë është ai lideri i ekipit. Për këtë gjë, mesfushori fantazist u shpreh se te Teuta nuk ka vetëm një kapiten në skuadër, por janë 24 të tillë, pasi të gjithë janë grup dhe japin maksimumin për klubin.

selmani kallaku

Keni marrë shiritin e kapitenit, cila është ndjesia që do të keni këtë vlerësim nga ekipi kampion?

Normalisht, ndihem shumë i lumtur, është përgjegjësi e madhe dhe e them prapë që në ekipin e Teutës janë 24 kapitenë dhe jo një.

Ju ka ngacmuar Arapi për këtë fakt?

(Qesh) Jo, nuk më ka ngacmuar Arapi, thjesht kam marrë përgëzime nga ai. Çfarë prisni nga ndeshja me Partizanin? Do të jetë një ndeshje shumë e vështirë, normalisht që Partizani ka pasur ndryshime, po ashtu dhe ne. Fakt është që ne kemi luajtur më shumë ndeshje në Europë se kundërshtari dhe gëzojmë një formë më të mirë.

Besoni se kjo Teutë mund të jetë më e fortë se sezoni i kaluar?

Jo, përkundrazi, mendoj se Teuta vit pas viti ka treguar se përforcohet dhe besoj se këtë vit, jemi më të fortë.

Cilët mendoni se do të jenë rivalët më të fortë për titullin?

Nuk mund të jap emra ekipesh, sepse duhen marrë parasysh se është një kampionat shumë i fortë dhe është ende herët që të flasim për titullin kampion.

Në aspektin personal, çfarë prisni nga ky sezon?

Synimi im është që deri në janar, aq sa kam kontratë, të shkoj sa më lart dhe t’i ndihmoj të jenë sa më pranë titullit kampion.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"