“Jemi klubi që lëshon pasaportën e… karrierës”, ish-kapiteni Mihani: Kur luaja futboll, më futeshin mik për të ardhur te Besa

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 23, 2021 | 18:16

“Jemi klubi që lëshon pasaportën e… karrierës”, ish-kapiteni Mihani: Kur luaja futboll, më futeshin mik për të ardhur te Besa

Shkolla verdhezi ka nxjerrë jo pak futbollistë të suksesshëm. Ata po kontribuojnë sot në ekipet e Kategorisë Superiore, por edhe jashtë Shqipërisë. Duket se Besa u ka mësuar vlerat e cilësisë, për të ecur të sigurt në karrierë. Shembull kemi boll, ndaj mjafton të listojmë disa emra.

Mihani

Rraklli, Lila, Cikalleshi, Kuli, Arapi, Vrapi, Progni, Fagu e Çela u formuan në Kavajë e më pas lanë gjurmë dhe morën trofe në klubet elitare ku luajtën apo luajnë. Të njëjtin fat patën edhe emra si Dita, Jashanica, Berisha, Muriqi, Fejzullai, Batha apo Guri, që hapat e parë i hodhën te verdhezinjtë. Nuk mund të harrojmë Lushkjen, Deliun, Carën, Dajsinanin, Gëzim Krasniqin apo vëllezërit Blerim e Jeton Krasniqi, apo dhjetëra të tjerë që aktivizohen në Kategorinë e Parë.

Pa frikë mund të themi se Besa është klubi që lëshon pasaportën e karrierës. I këtij mendimi është Meglid Mihani, ish-kapiteni i kavajasve. Gjatë një rrëfimi për “Panorama Sport”, ai kujton kohën kur i futeshin miq vetëm për të luajtur me verdhezinjtë.

“Besa ka qenë deri dje emri më i dashur e i lakuar për trajnerë dhe futbollistë. E ndodhur në zemër të Shqipërisë e me një tifozëri absolutisht futbolldashëse, kush nuk do dëshironte të vinte te Besa. Aq e vërtetë është kjo, saqë kur unë luaja me fanellën verdhezi, ishin me dhjetëra lojtarë që kërkonin të hyja mik te Bizhdili për t’iu bashkuar ekipit. Nuk po përmend kosovarët, pasi ata e bënë rrugën Kosovë-Kavajë si Durrës–Kavajë.

Mihani

Mendoj se bazat e një futbolli teknik, bashkëkohor, shumica i morën në Kavajë e më pas bënë karrierë në klube të tjera brenda dhe jashtë Shqipërisë. Po edhe mjaft trajnerë ndiheshin komodë të punonin në Kavajë pa pasur asnjë lloj presioni apo ndërhyrje.

Thënë ndryshe, Besa ishte ekipi ku dhjetëra futbollistë morën ‘pasaportat e vizat’ për të vazhduar futbollin. Konstatoj me kënaqësi se kjo traditë vijon edhe sot dhe për këtë jam krenar. Kush vjen te Besa, e ka të garantuar një karrierë të sigurt, por kjo nëse punon fort”, tha Mihani, që aktualisht është edhe zv.trajner në ekip.

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"