“Jemi gati të përballemi si të barabartë me cilindo”, Rexhepi: Skënderbeu i ri, i denjë për zonën europiane
E keqja për skuadrën korçare mendohet se kaloi në edicionin e shkuar, ku mbijetesa u arrit vetëm në fund të kampionatit. Pritshmëritë e sezonit të ri për Skënderbeun janë të mëdha, me ekipin që kërkon të ecë më mirë se vitin e kaluar dhe të kapë vendet e sipërme të renditjes.
Korçarët pas një sezoni për t’u harruar tashmë kanë më shumë eksperiencë dhe mbi të gjitha grintë dhe dëshirë për të ndryshuar rrjedhën e kampionatit të fundit. Një gjë të tillë e kërkon edhe “gardiani” bardhekuq, Bekim Rexhepi, i cili prej një jave është bashkuar me ekipin dhe menjëherë nuk e ka fshehur dëshirën për të bërë mirë këtë vit.
Në një prononcim të dhënë për “Panorama Sport”, portieri i Skënderbeut tregon cilësitë e shtuara në ekip dhe si e gjen skuadrën korçare pas një eksperience të mirë te Shkëndija e Tetovës në Kupat e Europës. “Pjesëmarrja në Kupat e Europës ka qenë një eksperiencë e mirë për mua dhe kemi bërë vërtet një punë të mirë. Besoj se është diçka që do të na shërbejë për t’u rritur në të ardhmen, si për mua ashtu edhe për Sadriun.
Gjithsesi, mezi prisnim që të riktheheshim sërish në Korçë dhe kjo ishte më e rëndësishme. Jemi këtu dhe mund të them se tani që po shoh ekipin nga afër më duket një tjetër histori nga ajo që u mbyll sezonin e kaluar. Pavarësisht se nuk jemi të plotë në masën 100%, po punojmë mirë dhe cilësitë duket se janë ende pjesë e skuadrës.
Në dallim nga sezoni i kaluar ka disa ndryshime, por edhe afrimet kanë qenë cilësore dhe për më tepër atje ku skuadra ka pasur më shumë nevojë për to. Jam i bindur që ky vit ka për të qenë krejt ndryshe për Skënderbeun. E shoh ekipin dhe më ngroh. Jemi një vit më të pjekur dhe më me shumë eksperiencë. Kjo na bën që të kemi besim.
Jo më kot edhe objektivat sezonalë janë të ndryshëm. Këtë vit kampionati do të jetë më i fortë dhe më i luftuar, pasi janë shumë ekipe me objektiva maksimalë që do të garojnë për titullin dhe për zonën europiane, por unë në këtë zonë shikoj edhe Skënderbeun.
Skënderbeu i ri, i denjë për zonën europiane dhe të tregojmë forcën tonë. Kemi kohë për t’u përmirësuar dhe shoh se skuadra po ritet pak e nga pak. Ajo që na duhet është përqendrim maksimal dhe besimi te forcat tona. Mund të arrijmë zonën europiane këtë sezon, një gjë të tillë e them me bindje”, theksoi Bekim Rexhepi.
LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"