“Jemi gati për ndeshjen ndaj Partizanit”, zv.trajneri i Skënderbeut: Ja cili është meraku më i madh për ne

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga bota e sportit

Postuar: Maj 28, 2020 | 18:16


“Jemi gati për ndeshjen ndaj Partizanit”, zv.trajneri i Skënderbeut: Ja cili është meraku më i madh për ne

Rikthimi i lojtarëve në gjendje optimale për ndeshjen me Partizanin është meraku i vetëm i stafit teknik të Skënderbeut në seancat stërvitore në këto javë përgatitjesh para fillimit të pjesës së mbetur të kampionatit.

Lici-470x264

Zv.trajneri i Skënderbeut, Gentian Liçi, në një bisedë për “Panorama Sport”, flet për mënyrën se si korçarët po punojnë për të shmangur problemet dhe mbi të gjitha tregon merakun e këtij momenti.

Liçi, si po shkojnë përgatitjet e Skënderbeut në këtë një javë e gjysmë?

Kemi gati dhjetë ditë që kemi nisur përgatitjet me grupin e plotë në “Tropikal Resort”. Stërvitja duhet të themi se ka ecur normalisht, por në këto kushte që ndodhemi nuk mund të flasim për ngarkesa fizike, pasi na kushtëzon ndalesa prej dy muajsh. Dihet shumë mirë që pas një ndalese prej 65 ditësh nuk mund t’u japësh lojtarëve ngarkesë maksimale, sepse penalizon gjendjen e tyre fizike.

Lojtarët janë përshtatur shpejt me programin stërvitor?

Në këto kushte stafi teknik ka punuar që ngarkesat fizike të jenë deri diku të balancuara. Është e vështirë, sepse ngjeshja e ndeshjeve është e madhe dhe duhet të mundohemi që të bëjmë ngarkesat nga pak, duke testuar edhe gjendjen e futbollistëve që të mos kemi dëmtime kur të fillojë kampionati.

Cili është objektivi i stafit me këtë përgatitje?

Ne po përgatisim ekipin që të jetë gati për ndeshjen e parë që me shumë mundësi do të jetë më 3 qershor. Duke dhënë ngarkesën e duhur dhe mënyrën e stërvitjes, mundohemi që të jemi gati për ndeshjen me Partizanin, por edhe për të qenë në të njëjtin vijimësi edhe në ndeshjet e tjera.

Duke parë nga afër situatën, si ju duket gjendja e ekipit në këtë moment?

Me aq sa kemi parë, mund të them se lojtarët janë mirë. Asnjë prej tyre nuk ka pasur probleme dhe gjendja është e kënaqshme. Jemi më të kënaqur nga ata lojtarë që kanë zbatuar në maksimum programin individual që u kemi dhënë. Në këtë moment dëshira është ajo që bën lojtarët të punojnë më shumë. Por mbi të gjitha, jemi kuriozë të shohim se si do të jetë ekipi në ndeshjen e parë, pasi askush nuk është përballur më parë me një situatë të tillë dhe nuk e dimë se si do të reagojnë lojtarët në fushë.

Lici

Mungesa e testeve miqësore ka krijuar probleme?

Mungesa e testeve na penalizon ndjeshëm. Jemi munduar të zhvillojmë test brenda grupit në 15 minutat e fundit të stërvitjes, por besoj se kjo është pak. Të shtunën do të kemi një test më të plotë mes grupit dhe do të mundohemi të përshtatemi me fushën dhe shprehitë e lojës. Na vjen keq, pasi ishim shumë mirë taktikisht dhe kishim vijimësi rezultatesh.

Cili është meraku juaj më i madh?

Meraku ynë si staf është gjendja shëndetësore e lojtarëve. Problemet fizike apo ngarkesat muskulare mbeten ato pjesë që ne i shohim me shumë prioritet. Do të ishte problem nëse do të na dëmtohet ndonjë futbollit. Por, për fat të mirë, janë vetëm probleme muskulare të lehta nga ngarkesat dhe asgjë pa problem. Çdo ditë marrim informacion të detajuar nga çdo lojtar në mënyrë që ta kemi nën kontroll situatën.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL




Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama Sport" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA SPORT: https://www.facebook.com/groups/sportionline/

www.minuta90.com