“Je me fat që Reali të mundi 3-0”, ish-gjyqtari anglez tregon talljen me Klop për një foto me Marcelon

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 17, 2021 | 23:48

“Je me fat që Reali të mundi 3-0”, ish-gjyqtari anglez tregon talljen me Klop për një foto me Marcelon

Ish-gjyqtari i njohur anglez, Mark Klatenburg, i cili arriti të drejtonte edhe finalen e Ligës së Kampioneve gjatë karrierës së tij, ka publikuar një autobiografi ku tregon copëza të kësaj karriere. Një prej tyre ka lidhje me një ndeshje mes Borusia Dortmund dhe Real Madrid në vitin 2014, ku kishte ndodhur një episod mjaft i veçantë.

klatenburg klop

Në ndeshjen e parë, skuadra e Ançelotit fitoi 3-0 në “Santiago Bernabeu” ndaj ekipit të Klop dhe Klatenburg ishte ai që drejtoi sfidën. Në fund, braziliani Marcelo dhe gruaja e tij kërkuan që të bënin një foto me celular, të cilën nuk do ta publikonin, thjesht dëshironin ta kishin mes kujtimeve.

Gjyqtari kujton se kjo foto nuk kishte asnjë lloj qëllimi tjetër ndaj edhe pranoi, duke u ndalur me ta në daljen nga dhomat e zhveshjeve. Në to momente kaloi Klop dhe komentoi atë që po ndodhte. “Ah, kjo është arsyeja pse na mundën, apo jo?”, ishin fjalët e gjermanit. Sipas Klatenburg, Klop nuk e tha këtë as me shaka dhe as me ton miqësor, por me ironi të dukshme.

Klatenburg kujton se ishte një nga përgjigjet e rralla në raste të ngjashme. “Je me fat që të mundën vetëm 3-0”, kishte qenë përgjigja e tij për Klop asokohe. “Klop nuk e përjeton kurrë mirë humbjen. Ishte i lumtur kur fitonte, argëtohej shumë. Kur gjërat nuk shkonin siç dëshironte, bëhej nervoz”, kujtoi Klatenburg.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"