Javë vendimtare për Tiranën, pritet vendimi për Skënderbeun

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 31, 2016 | 15:50

Javë vendimtare për Tiranën, pritet vendimi për Skënderbeun

Tirana është me pushime absolute pas përfundimit të kampionatit. Një sezon i dështuar për bardheblutë, që jo vetëm nuk siguruan asnjë trofe, por u renditën në vendin e 5-të, duke mos fituar të drejtën të marrin pjesë as në Kupat e Europës. tiranaPor hetimi zyrtar që UEFA ka bërë ndaj Skënderbeut dhe vendimi që pritet për klubin korçar, mund të krijojë ndryshime për sa i përket pjesëmarrjes së ekipeve shqiptare në Kupat e Europës. Nëse korçarët do të dënohen, atëherë bardheblutë si të 5-ët në renditje fitojnë të drejtën të marrin pjesë në Ligën e Europës.

Por, për shkak të borxheve të shumta që ka klubi, duket thuajse e pamundur. Megjithatë, mund të ndodhë çdo gjë dhe klubi shpreson deri në fund. Në këtë mënyrë, drejtuesit janë në pritje të zhvillimeve të fundit. Duke qenë se vendimi për Skënderbeun do të merret më 1 qershor, do të shihet më pas çfarë do të ndodhë edhe me Tiranën. Gjithashtu, kjo do të jetë javë vendimtare për bardheblutë edhe për sa i përket trajnerit.

Ilir Daja ka marrë besimin e drejtuesve për të drejtuar ekipin edhe për sezonin e ri, por palët do të duhet të ulen për të firmosur kontratën. Burime pranë klubit kryeqytetas kanë bërë të ditur se brenda javës mund të ketë një marrëveshje përfundimtare ndërmjet klubit dhe trajnerit Daja. Gjasat janë që tekniku të firmosë me skuadrën dhe të jetë në krye të bardhebluve edhe për sezonin e ri. Kur të jetë mësuar përfundimisht se çfarë do të ndodhë me këto çështje, do të flitet më pas edhe për lojtarët.

Një pjese të mirë të titullarëve u përfundojnë kontratat dhe do të duhet të ulen për të diskutuar me drejtuesit se çfarë do të bëjnë me të ardhmen e tyre. Bardheblutë hynë me synime të qarta sezonin që përfundoi, por shumë shpejt dolën nga gara për titull dhe më pas u eliminuan edhe nga Kupa. Tirana nuk fiton një titull kampion prej 2009-s dhe të gjithë kërkojnë rikthimin te ky trofe sa më shpejt.

Përgatiti: Besar Bozgo

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"