Javë për “infarkt”, Skënderbeu nuk thyhej 2 herë prej një viti

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 11, 2017 | 10:50

Javë për “infarkt”, Skënderbeu nuk thyhej 2 herë prej një viti

Ka gjithmonë një herë të parë dhe Skënderbeu do ta kujtojë ndeshjen e djeshme për humbjen e parë që pësoi në Kategorinë Superiore gjatë këtij sezoni. Korçarët bashkë me disa skuadra të tjera në Europë ishin ende të pathyeshëm, por kjo javë rezultoi fatale për ekipin e Dajës. Në javën e 14-të, korçarët u mposhtën 1-0 nga Laçi, por janë shumë të qetë sepse kundërshtarët janë shumë larg.

Laci-Skenderbeu 2017

Ndjekësi më i afërt i Skënderbeut është Flamurtari, i cili gjendet -6 pikë. Humbja erdhi atëherë kur askush nuk e priste sepse korçarët përballuan më së miri edhe prezencën në Europë, por lodhja e ndeshjes së fundit në fazën e grupeve dha efekt në kampionat.

DY HUMBJE- Por, ka një fakt interesant për sa u përket disfatave të Skënderbeut. Në të gjitha kompeticionet, korçarët nuk humbnin kurrë dy ndeshje radhazi dhe për të gjetur një ecuri të tillë duhet të kthehemi pas afro 1 viti. Në dhjetorin e vitit të kaluar, Skënderbeun e mundte Kukësi dhe Partizani në kampionat, ndërsa nga ajo kohë korçarët nuk kanë humbur kurrë dy herë radhazi. E djeshmja prishi këtë ecuri pozitive, pasi Skënderbeu humbi në Europa Ligë kundër Jang Bojsit dhe në kampionat kundër Laçit.

Laci-Skenderbeu

JAVË PËR INFARKT- Ndodh rrallë që në ndeshjet e kampionatit shqiptar të shënohen gola në minutat e fundit, por këtë herë kjo javë bëri përjashtim. Me përjashtim të ndeshjes së Laçit me Skënderbeun, të gjitha ndeshjet e tjera kishin gola në minutat e fundit. Siparin e hapi Kamara i Flamurtarit, i cili shënoi në minutën e 88-të golin e dytë ndaj Vllaznisë.

Po të shtunën ishte një tjetër rezultat surprizë, humbja e Kukësit dhe fitorja e Lushnjës (goli i tretë erdhi në minutën e 82-të). Por, kulmi arriti në dy ndeshjet e djeshme. Luftë- tari mposhti Kamzën me një gol në minutën e 93-të, me golin e Rrocës dhe Partizani përmbysi Teutën me Bathën në minutën e 94-t. Emocione të forta, kush ka probleme me zemrën, do kishte bërë mirë të largohej nga ekrani…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"