Java e parë e kampionatit, Kacbufi: Edhe 1 pikë vlen për Egnatian ndaj Partizanit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 19, 2022 | 23:28

Java e parë e kampionatit, Kacbufi: Edhe 1 pikë vlen për Egnatian ndaj Partizanit

Ndër prioritet e trajnerit durrsak të Egnatias, Edlir Tetova, sapo mori drejtimin e skuadrës rrogozhinase, ka qenë stabilizimi i mbrojtjes. Gjërat duken në rrugë të mbarë dhe prova e parë e vërtetë është të shtunën ndaj Partizanit. Falë merkatos së kryer nga drejtuesit dhe presidenti Demrozi, stafi teknik e ka të plotë grupin dhe plot alternativa.

Kacbufi

Tani i mbetet trajnerit Tetova për të bërë përzgjedhjet e duhura, duke nisur nga premiera e kampionatit me të kuqtë e kryeqytetit. Për ndeshjen e nesërme me Partizanin, mbrojtja është thuajse e skicuar, ku në krahë priten Fangaj dhe Musta, ndërsa dyshja e qendrës do të përbëhet nga Atanda dhe Kacbufi, që është i vetmi në këtë rreshtim nga sezoni i shkuar. Shtatlarti kavajas i Egnatias, Aleksandër Kacbufi, në prononcimin e dhënë për “Panorama Sport” tregon aspektin e tij personal, punën e bërë në ekip gjatë merkatos, si dhe ndeshjen hapëse të kampionatit me Partizanin.

“Gjasat janë që ta nisë si titullar ndeshjen hapëse me Partizanin dhe kjo më bën të lumtur, por rrit edhe shkallën e përgjegjësisë. Ndihem mjaft mirë përkrah lojtarëve me përvojë që ka Egnatia në repartin mbrojtës. Ndeshjen me Partizanin e kemi vlerësuar në maksimum. Përshtypja ime është se nuk do kthehemi në Rrogozhinë pa pikë. Vështirësitë dihen ndaj një skuadre me shumë traditë si Partizani, por kam përshtypjen e palëkundur se do t’ia dalim.

KACBUFI

Na pret një rrugë e gjatë në kampionat dhe si fillim kanë rëndësi pikët e marra, ndaj edhe një barazim vlen ndaj të kuqve”, u shpreh Aleksandër Kacbufi. Prandaj duke përfunduar, Kacbufi tha se do të pretendojnë fitoren, por megjithatë edhe një barazim nuk do të ishte keq.

FATMIR EFICA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"