Java e forcës në Kategorinë e Parë/ Veriu kthehet në “ferr”, Egnatia prin e vetme në… Jug

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 24, 2020 | 15:50

Java e forcës në Kategorinë e Parë/ Veriu kthehet në “ferr”, Egnatia prin e vetme në… Jug

Java e 3-të mund të quhet ajo e forcës. Në 7 ndeshjet e luajtura mes të shtunës dhe të dielës në Kategorinë e Parë, u zbuluan pretendentet e vërteta. Nëse në Jug nuk kemi ndonjë dilemë të madhe (të paktën deri më tani), Veriu po kthehet në një “ferr” të vërtetë. Egnatia prin e vetme në Grupin B, ndonëse aty janë edhe Besa me Lushnjën. Krejt ndryshe paraqitet situata në Grupin A. Korabi dhe Burreli po “luftojnë” kokë më kokë për kreun, me 9 pikë të plota pas 270 minutash janë duke bashkëkryesuar. Megjithatë, për të mos u harruar është edhe Besëlidhja që pushoi këtë javë, si edhe Dinamo që ka një ndeshje më pak prej rregullit që rezervon kalendari. Në këto përballje nuk munguan golat, autogolat, kartonët e verdhë e të kuq dhe penalltitë e humbura… 

topi-kategoria-e-pare

Vëmendjen në 4 ndeshjet e para e mori ajo e luajtur në Peshkopi, atje ku Korabi shpartalloi Vorën. Plot 4 gola të shënuar, tre prej të cilëve mbajnë firmën e Xhuliano Skukës. Rrjetat e sulmuesit nuk përbëjnë më surprizë. Ai shënon sa herë i jepet mundësi, duke treguar se është një “gjahtar” i vërtetë para portave kundërshtare dhe hapur mund të themi që ai kandidat potencial për “Këpucën e Artë”. Nuk kishte kaq shumë gola, por jo më pak e rëndësishme ishte edhe fitorja e Burrelit. Matjanët përmbysën Partizanin B dhe morën një trepikësh, që i mban në pozita kryesuese. Nuk bënë lojën më të mirë, por në fund të fundit ditën të marrin atë që deshën. Dinamo vazhdon të mos gabojë.

Në të dytën ndeshje në këtë ligë, siguron një tjetër fitore. Një penallti e Da Silvës dhe rrjeta e Boçit i japin qetësinë kundër Orikut. U kthye më në fund edhe Erzeni, që e bëri “sefte” me miqtë nga Kopliku. Gecaj e Hima sollën suksesin e parë sezonal. Partizani B, Veleçiku dhe Vora kanë nisur një tjetër “garë” për vendet e fundit, pasi asnjëra prej tyre nuk ka marrë qoftë edhe një barazim deri më tani. Në grupin tjetër pati një ndeshje më pak, por nuk mungoi spektakli. “Derbi” i shumëpritur mes Lushnjës dhe Tomorit u fiksua në një barazim, por emocionet nuk munguan. Mezini kaloi në avantazh beratasit pas 11 minutash, megjithatë mendoi mbrojtësi Abdulxhabar për t’i prishur festën me golin e barazimit.

Egnatia konfirmon se është një “kockë e fortë”. Vuajti për 85 minuta, por mjaftoi ajo gjuajtje perfekte e Xhemalajt me kokë për të kapur “fronin”. Besa po ashtu bindi, ndërsa në Vlorë fitoi 3-0. Flamurtari i paraprin një tjetër viti të vështirë me këtë humbje, ndonëse jemi vetëm në nisje të sezonit. Ai gol i Kainës dhe Zeqirit u vulos nga një autogol qesharak i Balilajt… Befasia e vërtetë në këtë grup vjen nga Pogradeci, që ashtu si Elbasani është në fund me “zero” pikë.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"