Java e derbit / Ja pse është vendimtar si për Tiranën, ashtu edhe për Partizanin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 21, 2021 | 0:02

Java e derbit / Ja pse është vendimtar si për Tiranën, ashtu edhe për Partizanin

Kjo është java e derbit të kryeqytetit, një ndeshje shumë e rëndësishme për Tiranën edhe Partizanin. Ndonëse dy palët po mundohen ta cilësojnë si ndeshja e radhës, ka shumë arsye pse kjo sfidë është vendimtare për të dy klubet.

derbi

Pse është vendimtar për Tiranën
Ndeshja derbi është vendimtare për ekipin e Tiranës për një sërë arsyesh.
* Së pari, një fitore në derbi do të sillte fitoren pas më shumë se 605 ditësh në kampin bardheblu që për herë të fundit kanë marrë një fitore në shkurtin e 2020-ës.
* Nga ana tjetër, tri pikët do t’u garantonin bardhebluve vendin e parë. Madje, do t’u tregonin të gjithëve në Superiore se janë skuadra favorite për të fituar titullin kampion.
* Po kështu, fitorja me të kuqtë do të tregonte se nuk është rastësi që bardheblutë kanë mundur Laçin dhe kampionët e Shqipërisë, Teutën.
* Një triumf në derbi do ta ngjiste Tiranën në piedestal, duke lënë pas të gjithë pretendentët dhe derbin tresh me Dinamon, Vllazninë dhe Kukësin do t’i merrte shumë qetë.
* Derbi është vendimtar për Tiranën, sepse mund të tregojë se skuadra është pjekur. Është më e fortë se të tjerat dhe gati për të bërë hapin e madh: të fitojë titullin e 26-të.
* Në fund, derbi është vendimtar për Tiranën, sepse një fitore e bardhebluve gropos përfundimisht Partizanin këtë sezon dhe me shumë mundësi largon Ilir Dajën nga pankina e të kuqve.

Pse është vendimtar për Partizanin
Derbi nuk luhet, por fitohet… Kjo është shprehja e famshme që përdoret gjithmonë në prag të derbit të kryeqytetit mes Tiranës dhe Partizanit, por sa u takon të kuqve, kjo shprehje merr rëndësi shumë më të madhe, për shkak të situatës ku ndodhen. Por, pse është vendimtar ky derbi për Partizanin e Ilir Dajës?
* E para, derbi duhet fituar patjetër nga Partizani për të gjetur fitoren që i ka munguar këtë sezon, pas 5 javësh kampionat. Ekipi është në ngërç dhe një fitore në këtë sfidë mund të ndryshojë gjithçka sa i takon ecurisë.
* Presioni i shtuar te stafi teknik i “demave” është prezent dhe në rast të një humbje në derbi, ky presion do të shtohej edhe më shumë, çka mund të detyrojë drejtuesit të marrin masa.
* Pesë ndeshjet e fundit, Partizani nuk ka humbur kundër Tiranës dhe pa diskutim që tifozët e kuq duan ta ruajnë këtë prestigj. Një humbje të hënën, do të sillte krisje edhe me tifozërinë.
* Kundër Tiranës, duhet fituar edhe për objektivin madhor, që është titulli. Ndoshta është herët për të folur për vendin e parë, por një humbje për Partizanin, do e vështirësonte shumë edhe objektivin primar të drejtuesve të kuq.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"