Jashtëtokësori Mesi, me Dortmundin bëhet Mr. 700

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 26, 2019 | 18:08

Jashtëtokësori Mesi, me Dortmundin bëhet Mr. 700

Në “Camp Nou”, nesër mbrëma kundër Dortmundit, Lionel Mesi do të luajë ndeshjen e 700-të me fanellën e Barcelonës. 

mesi

Argjentinasi do të bëhet vetëm lojtari i dytë që e arrin këtë shifër me klubin pas Ksavit, i cili e mbylli karrierën me katalanasit pas 767 prezencash. Sulmuesi, i cili ka një kontratë deri në 2021-shin, pritet ta thyejë këtë rekord. Ky është sezoni i 16-të i “Pleshtit” me ekipin e parë që prej debutimit me Frenk Rajkardin në sezonin 2004-’05. Ai shënon mesatarisht në sezon 38 gola, ka fituar 34 trofe, përfshirë 10 tituj kampion.

SHENJA – Leo e la gjurmën e tij të parë më 16 tetor 2004, kur debutoi me Espanjolin në moshën 17 vjeç, 3 muaj dhe 22 ditë. Për talentin e tij kishte pasur paralajmërime që në miqësoret ndaj Portos (2003) dhe Juves (2004). Por ishte nën drejtimin e Guardiolës, që djaloshi i ri do të merrte një rol më të rëndësishëm në ekip.

Me teknikun katalanas dhe me Ronaldinjon dhe Dekon e larguar, ai u bë një nga lojtarët kyç. Më vonë, pa Etonë, ai u bë lideri i padiskutueshëm. Në 2011-’12 shënoi 73 gola. Në vitet 2008- ’12, ai e konsolidoi emrin e tij në elitë. Fitoi “Topin e Artë” në 2010 dhe prej andej admirimi dhe respekti kudo nëpër botë shënoi vetëm kurbë rritëse.

mesi vida

MOMENTET – Është e pamundur të rendisim momentet e tij më të mira në kaq pak rreshta, madje nuk do të mjaftonte as një libër. Një enciklopedi ndoshta do të mund të dokumentonte gjithçka ka bërë numri 30, 19 dhe tani 10. Ndeshje, gola, asiste, goditje dënimi, penallti, pasime, ka kaq shumë detaje në 699 ndeshjet e deritanishme. Për më tepër, ai ka lënë pas legjendat e klubit si Sezar Rodrigez, Ladislao Kubala dhe Josep Samitier dhe është padron i thuajse çdo rekordi në klub.

Ai është shënuesi më i mirë në “Camp Nou”, fushën ku ka festuar 356 herë në 342 ndeshje. Mesatarja e tij është më shumë se një gol për ndeshje (1.04). Ka fituar 280 sfida në tempullin katalanas (gati 82%). Rivalët që e kanë vuajtur më shumë këmbën e tij të majtë janë Sevija (37 gola në 38 ndeshje), Atletiko e Madridit (29 në 38), Valencia (28 në 33), Reali (26 në 41) dhe Espanjoli (25 në 33). Kapiteni i Barçës u ka shënuar 75 nga 85 ekipeve që ka pasur përballë. Vetëm Rubin Kazani (4 ndeshje), Interi (4), Benfika (2), Kserez (2), Al-Sad (1), Kadiz (1), Mursia (1), Gramenet (1), Udineze (1) dhe Dortmundi (1) e kanë ndalur. Por ndaj këtyre të fundit dhe zikaltërve ka shansin për ta korrigjuar shënjestrën në javët e ardhshme, duke i dërguar në 77 “viktimat”.

PAS KSAVIT – Tani ai mund të fokusohet te Ksavi. Pas së mërkurës, do të jetë 67 ndeshje larg ish-kapitenit të Barçës. Sot trajneri i Al-Sadit në Katar, Ksavi, luajti 17 sezone në “Camp Nou” (1998- 2015). Lojtarët që ndjekin Ksavin dhe Mesin për numrin e prezencave janë Andres Iniesta, i cili luajti 674 ndeshje, Karles Pujol, 593, Serxho Buskets, i cili pritet të arrijë shifrën 552 ndaj Dortmundit dhe Migueli (1974-1988).

Përgatiti: ANDROKLI DRALO 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"