Jashtëtokësori Haland / Flasin statistikat, norvegjezi mund të shënojë 102 herë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 4, 2022 | 17:22

Jashtëtokësori Haland / Flasin statistikat, norvegjezi mund të shënojë 102 herë

Projeksionet për golat e mundshëm të tij arrijnë shifra të çmendura: Erling Haland do ta mbyllte sezonin e Premier Ligës me 67 gola në rast se ai ruan të njëjtën mesatare shënimi dhe minuta në fushë, ndërkohë që nëse do të luante çdo minutë deri në fund të sezonit të mbetur do të shënonte 71 gola.

haland

Gjithnjë nëse sulmuesi i Mançester Sitit ruan të njëjtat raporte, atëherë 22- vjeçari do ta mbyllte sezonin me 95 gola në të gjitha kompeticionet në rast se “Qytetarët” do të luanin çdo ndeshje të këtij sezoni dhe ai do të shënonte 102 gola nëse nuk do të zëvendësohej kurrë.

Sigurisht janë vetëm projeksione bazuar në shifrat e numrit 9 të Pep Guardiolës deri në këtë moment të sezonit.

Në intervistën për Geri Nevil, përpara derbit të Mançesterit, Haland ishte i qartë: “Nëse nisem në momentin e duhur, e di që askush nuk do të më ndalë”.

Sulmuesi që i mungonte kampionëve të Anglisë ka shënuar 14 gola në vetëm 8 ndeshje në Premier Ligë dhe madje është zëvendësuar në gjysmën e këtyre ndeshjeve duke mos luajtur 55 minuta. Ai ka shënuar tri tripleta: kundër Kristal Palasit, Notingem Forestit dhe Junajtidit.

Norvegjezi shënon mesatarisht 1.89 gola për ndeshje në Premier Ligë dhe është shënuesi më i mirë në të pesta kampionatet kryesore të Europës këtë sezon në klasifikimin e lojtarëve që janë aktivizuar më shumë se 144 minuta.

Në vend të dytë është sulmuesi i Milanit, Rebiç (1.84 gola) dhe i treti është Levandovski (1.5 gola). Haland është gjithashtu lojtari që e ka goditur më shumë portën këtë sezon në Premier Ligë: 20 herë, çka do të thotë se ai shënon me çdo 1.4 goditje në kuadrat.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"