Japonezi Fukui del në stërvitje, por Kukësi pret UEFA-n

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 11, 2016 | 15:29

Japonezi Fukui del në stërvitje, por Kukësi pret UEFA-n

Masato Fukui huazohet te Kukësi. Pas Lilajt dhe Latifit, skuadra e Skënderbeut ka ndihmuar verilindorët me një tjetër element shumë cilësor. Ditën e djeshme, japonezi i është bashkuar ekipit në stërvitje, por ende është e paqartë prezenca e tij për sfidën kundër Austrisë së Vjenës. Stafi drejtues ka bërë një kërkesë në UEFA për të mësuar numrin e futbollistëve që mund të huazojë, ndërsa në federatë nuk kanë dijeni për këtë fakt.

fukui kukesi

Kukësi bëhet “korçar”

Tre futbollistë të Skënderbeut do të luajnë te Kukësi në ndeshjet e Europës. Pas dy mesfushorëve, Lilaj dhe Latifi, ditën e djeshme ka dalë në stërvitje edhe Masato Fukui. Të tre futbollistët shihen si të duhurit për të bërë një tjetër mrekulli për të kaluar një skuadër të fortë si Austria e Vjenës. Dy të parët i kanë dhënë provat një vit më parë, teksa arritën të kualifikoheshin deri në fazën e grupeve të Europa Ligës. Ndërsa Fukui zhvilloi një sezon të shkëlqyer me fanellën e Tiranës duke tërhequr vëmendjen e skuadrave të tjera në Shqipëri.

Kukesi Rangel

Pritet UEFA

Pavarësisht faktit se Fukui u është bashkuar urdhrave të Hasan Likës, nuk dihet ende nëse do të zbresë në fushë kundër Austrisë së Vjenës. “Panorama Sport” kontaktoi me drejtorin e përgjithshëm, Dritan Dervishi, i cili pohoi prezencën e japonezit dhe tha se klubi ka bërë një pyetje në UEFA për të mësuar numrin e futbollistëve që mund të huazohen për ndeshjet e Europës. “Fukui ka dalë në stërvitje me skuadrën, por nesër do të mësojmë nëse ai mund të quhet zyrtarisht lojtar i Kukësit. Nuk jemi të qartë për numrin e lojtarëve që mund të huazojmë në këtë sesion të merkatos, prandaj po presim një përgjigje zyrtare”, tha Dervishi.

Mësohet se ditën e sotme mund të konfirmohet diçka e tillë, ndërsa qesharak dhe i turpshëm është fakti që në Federatën Shqiptare të Futbollit nuk kanë asnjë informacion në lidhje me këtë çështje. Ka qenë pikërisht ky institucion që ka adresuar zyrtarët e Kukësit për të kërkuar shpjegime në UEFA, për të qenë më të sigurt dhe të qartë për huazimin e Fukuit.

Skerdilaid Sulozeqi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"