Janiçiç në dyshim, Rrapo: Kthesa nis nga Partizani

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 19, 2018 | 20:07

Janiçiç në dyshim, Rrapo: Kthesa nis nga Partizani

Luftëtari vijon përgatitjet për takimin e fundjavës me Partizanin, por trajneri Gentian Mezani nuk do ta ketë të plotë grupin. Nemanja Janiçiç mbetet mungesa e vetme për Luftëtarin në këtë moment. Dëmtimi i qendërmbrojtësit është konfirmuar edhe pas ekzaminimit në një nga klinikat e qytetit të Vlorës. Trajneri Mezani, i pyetur në lidhje me shkallën e dëmtimit të Janiçiç, u shpreh se mbetet për t’u parë nëse mbrojtësi do të jetë i gatshëm për të dielën. Sipas Mezanit, gjithçka kushtëzohet me faktorin kohë për gatishmërinë ose jo të Janiçiçit.

janicic

RRAPO- Mesfushori Donald Rrapo është një pikë e fortë te Luftëtari. Falë kontributit të tij, skuadra gjirokastrite ka shfaqur dukshëm progres, jo vetëm në lojë por dhe në rezultat. Në një prononcim të dhënë për “Panorama Sport”, Rrapo pohoi se Luftëtari do të shkojë në kryeqytet për të marrë një rezultat pozitiv. “Me Partizanin është një ndeshje e vështirë.

Të gjithë e dimë që kundërshtari është në vend të parë edhe është një nga ekipet më të mira për momentin në kampionat. Në përballjen me Partizanin shkojmë për të marrë pikë. Objektivi ynë është se nga ky takim të fillojmë kthesën e shumëpritur nga të gjithë përkrahësit tanë. Të frenosh ecurinë e mirë të Partizanit në këto javët e fundit, pa dyshim që kërkohet personalitet në fushën e lojës. Po stërvitemi fort me trajnerin Mezani për të treguar vlerat tona të vërteta si skuadër në takimin me Partizanin, edhe pse s’do ta kemi aspak të lehtë”, tha fillimisht Rrapo.

Donald Rapo

Mesfushori e pranoi se Partizani është ekipi më solid në mbrojtje, me një gol të pësuar në 8 javë. Përpos këtij fakti, Rrapo nuk e fsheh dëshirën për t’i shënuar Partizanit. “Gol do ishte mirë të shënoja çdo javë, jo vetëm Partizanit. Pavarësisht dëshirës për të shënuar, ka pak rëndësi nëse realizoj ose jo. I rëndësishëm është rezultati pozitiv ndaj Partizanit. Mbrojtja është arma më e fortë e kundërshtarit, por dhe ne do dimë t’i përgjigjemi me lojën tonë”, përfundoi Rrapo.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"