“Janë një inovacion i çuditshëm dhe i padrejtë”, Bolt akuzon: Atletët, të favorizuar nga këpucët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 5, 2021 | 17:52

“Janë një inovacion i çuditshëm dhe i padrejtë”, Bolt akuzon: Atletët, të favorizuar nga këpucët

Fitorja e medaljes së artë nga Marsel Xhekobs në garën e 100 metrave vijon të prodhojë debat. Pas akuzave në drejtim të italianit për përdorim dopingu nga mediat britanike, tashmë po bën shumë bujë edhe deklarata e rekordmenit dhe ish-kampionit të madh, Usain Bolt. Legjenda e atletikës është treguar kritik për sa u përket këpucëve që përdorën sprintierët në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”.

RDS_news_usain_bolt_marcell_jacobs

Xhamajkani, në një intervistë të dhënë për “Reuters”, e ka konsideruar përdorimin e këpucëve një inovacion “të çuditshëm dhe të padrejtë”, madje ka shkuar deri aty sa ta konsiderojë në “limitet e qesharakes”. Sipas Boltit, këto këpucë ndikojnë shumë për të përmirësuar paraqitjet e atletëve që i përdorin.

Deklarata e rekordmenit të sprintit i ishte adresuar më tepër Federatës Botërore, e cila, sipas tij, është fajtore që e ka lejuar përdorimin e kësaj teknologjie kaq shumë inovative. Siç dihet, gara e 100 metrave në Lojërat Olimpike “Tokio 2020” u fitua nga Marsel Xhekobs. Italiani i befasoi të gjithë, teksa me kohën 9.80 sekonda rrëmbeu medaljen e artë.

Çfarë kanë të veçantë këto këpucë? – Një efekt “super të lehtë”, që e bën më efikase shtyrjen dhe koordinimin e vrapuesit. Atletet e përdorura nga Marsel Xhekobs peshonin 173 gramë, kishin një supermajë dhe taka të shpeshta çdo 20 milimetra. Piastra e karbonit e futur në pjesën e shtrojës formon një trup të vetëm dhe është pak më e gjerë se tabani i këmbës. Një detaj që rrit sipërfaqen e kontaktit ndërmjet këmbës dhe pistës, duke garantuar kështu stabilitet më të mirë, gjë që e favorizon atletin në shpejtësi dhe progresion.

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"