Janë makthi i të mëdhenjve, mesfushori i Erzenit: Nuk është rastësi që jemi të dytët, tani e ka radhën Vllaznia

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 24, 2022 | 19:54

Janë makthi i të mëdhenjve, mesfushori i Erzenit: Nuk është rastësi që jemi të dytët, tani e ka radhën Vllaznia

Mesfushori kroat, Amir Kahrimanoviç, i dha tri pikët skuadrës së Erzenit me penalltinë e shndërruar në gol, duke e mbyllur këtë fazë me fitore dhe me pikë të barabarta me Tiranën në vendin e dytë. Në një prononcim ekskluziv për “Panorama Sport”, pas ndeshjes, ai shprehet i lumtur për golin, por më së shumti e kënaq fitorja e skuadrës.

Amir Kahrimanovic

 

“Jam shumë i lumtur për golin e shënuar, por më e rëndësishme është fitorja e ekipit. Luajtëm mirë dhe në këto momente kanë rëndësi tri pikët, të cilat për fat të mirë i morëm dhe mendoj se i merituam. Jemi të lumtur me renditjen, asnjë nuk besonte në fillim, por ne vazhdojmë para, stërvitemi fort dhe dëgjojmë udhëzimet e trajnerit. Nuk është rastësi që jemi në vendin e dytë”, u shpreh fillimisht mesfushori i Erzenit.

Më tej, në lidhje me ndeshjen e radhës me Vllazninë dhe në përgjithësi kampionatin shqiptar, 23-vjeçari shprehet: “Vllaznia? Ne do të mundohemi të bëjmë më të mirën, por vetëm Zoti e di. Kam luajtur më herët në Maqedoninë e Veriut, kisha dëgjuar për futbollin shqiptar që kishte fusha, stadiume dhe futboll më të mirë. Mund të them që është një nivel më i lartë”, përfundoi prononcimin e tij për gazetën 23-vjeçari, i cili ka shënuar dy gola këtë sezon për shijakasit.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"