“Janë lënë shumë pikë, duhet të mundin Bylisin dhe Kastriotin”, flet legjenda e futbollit korçar: Situatë e vështirë, por Skënderbeu… mbijeton

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 25, 2021 | 14:30

“Janë lënë shumë pikë, duhet të mundin Bylisin dhe Kastriotin”, flet legjenda e futbollit korçar: Situatë e vështirë, por Skënderbeu… mbijeton

Pozicioni që ka aktualisht Skënderbeu në renditje këtë sezon, i ka vënë në shqetësim të gjithë, jo vetëm klubin dhe ekipin, por edhe sportdashësit e thjeshtë apo ata që për vite kanë dhënë kontribut me këtë fanellë. E dhimbshme është kjo situatë për Dhimitraq Xhambazin, korçarin e Skënderbeut, i cili dikur ka qenë një nga yjet e këtij ekipi. “Të tilla situata janë të vështira për t’u komentuar, pasi jemi mësuar në vitet e fundit që ta shohim Skënderbeun të diktojë dhe të jetë komandues i kampionatit, por qenka e vështirë gjithsesi. E kishim harruar prej kohësh këtë situatë dhe të mbushur me lavdinë e viteve të arta kjo zbritje në renditje të bën të ndihesh dyfish keq.

xhambazi

Sigurisht që pas asaj që ndodhi luhatja në kampionat pritej të ishte e madhe, por normalisht që nuk e mendonim deri në këtë pikë. Pas largimeve në fund të sezonit të kaluar, diçka u kuptua se nuk do të ishte me një ekip që do të luftonte për vendet e para të renditjes, por prisnim të paktën që me kualitetet që ka në skuadër të ishim në një zonë të qetë dhe të mos zhyteshim në ethet e mbijetesës. Gjërat nuk shkuan mirë në disa ndeshje dhe ekipi pa përvojë nuk diti ta menaxhonte si duhet situatën. Unë kështu e shoh, jo thjesht një mungesë cilësie”, theksoi fillimisht Xhambazi.

MBIJETESA – I vetëdijshëm për vështirësitë që mbartin këto 11 javë të mbetura, Xhambazi e sheh Skënderbeun larg rënies, qoftë kjo edhe përmes “play out”-it. “Të them të drejtën gjendja është e vështirë, pasi janë pikët që duhen marrë dhe duhet të rikuperohen, por nuk e shkoj në mend rënien e Skënderbeut në një kategori më poshtë. Për këtë jam i bindur edhe për shkak të cilësive që ekipi ka. Atë që e ka treguar edhe në ndeshjet e fundit duhet ta ruajë në të 11 javët e mbetura. Në të tilla kushte mund të them se përcaktuese për fatet e sezonit dhe luftën për mbijetesë do të jetë ndeshja mes Bylisit dhe Kastriotit. Nëse krutanët ndalen, atëherë edhe ata do të hyjnë në vorbullën e mbijetesës. I shoh këto katër ekipe që do të luftojnë deri në fund dhe do të vendosen nga ndeshjet që kanë mes tyre”, mbylli Xhambazi.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"