“Janë agresivë”, Andi Ribaj: Flamurtari do të tentojë gjithçka ndaj Kastriotit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 17, 2021 | 10:49

“Janë agresivë”, Andi Ribaj: Flamurtari do të tentojë gjithçka ndaj Kastriotit

“Flamurtari është Flamurtar”. Kështu shprehet Andi Ribaj, teksa pyetet nëse e kanë synim Kupën e Shqipërisë. Kapiteni i vlonjatëve, në një intervistë për “Panorama Sport”, deklaron se pret që të paraqiten denjësisht sot në Fushë-Krujë. Ai thekson se në kampionat Flamurtari ka përqendrimin maksimal, ndërsa me këtë grup lojtarësh as nuk e vë në dyshim ngjitjen e shpejtë në elitën e futbollit.

ANDI RIBAJ 1

Andi, sa shanse keni për një kualifikim ndaj Kastriotit?

Na pret një ndeshje shumë e vështirë. Kastrioti është i fortë dhe ka një ekip që luan me shumë agresivitet. Por, ne do të shkojmë që të luajmë futboll të bukur. Pastaj është fusha që vendos për kualifikim, pasi ne kemi parësor kampionatin. Jemi të angazhuar maksimalisht që të japim më të mirën dhe të paraqitemi denjësisht. Ne do të bëjmë detyrën tonë, por edhe një herë e përsëris, që kemi shumë primar kampionatin.

Besoni te kalimi i turit?

Për këtë pyetje që më bëni dua që të jap një përgjigje fare të shkurtër. Flamurtari është Flamurtar!

Ju bind kjo skuadër për vazhdimësinë?

Patjetër që më bind, madje shumë. Ne kemi një grup shumë të fortë dhe me djem të shkëlqyer. Mendoj që do të shkojmë më gjatë me këtë grup. Jemi një ekip me lojtarë shumë të mirë dhe profesionistë që kanë luajtur në Superligë dhe e dinë se çfarë misioni kanë mbi supe.

Ndeshja e radhës në kampionat është me Gramozin, çfarë prisni?

Është një ndeshje që do vlerësuar maksimalisht. Ne do të bëjmë detyrën në fushën tonë. Nuk do të lejojmë hapa fals. Jemi të angazhuar për të marrë një tjetër trepikësh në këtë ndeshje. Në çdo takim futemi për të fituar. Unë besoj që deri në fund do të jemi në vend të parë me këtë ekip. Shumë shpejt do të ngjitemi ku e kemi vendin. Nuk e vë aspak në dyshim një gjë të tillë.

fl

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"