“Janë 6 finale, një sfidë totale për ne”, Canka optimist për Superioren

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 17, 2020 | 11:30

“Janë 6 finale, një sfidë totale për ne”, Canka optimist për Superioren

Fakti që kampionati do të rifillojë më 14 qershor, i ka kënaqur lushnjarët, të cilët do të provojnë ta sigurojnë kthimin në Superiore në fushën e lojës. Dhe për ta bërë këtë duhet të kalojnë Apoloninë dhe Pogradecin në renditje ose të paktën skuadrën fierake për të shkuar në “play off”. Verdhejeshilët kanë 6 ndeshje në dispozicion për të rikuperuar diferencën prej 4 pikësh me kreun.

canka

CANKA – Kapiteni i lushnjarëve, Mikel Canka, e sheh të realizueshëm objektivin, por pohon gjithashtu se është një sfidë shumë e fortë, jo vetëm me rivalët.

“Jemi shumë të kënaqur që kemi tashmë një datë për të rifilluar kampionatin, një kalendar për të luajtur fazën e tretë të tij. Kryesorja është që kampionati do të mbyllet në fushë dhe neve do të na jepet mundësia të luajmë shanset tona. Do të provojmë si vendin e parë, ashtu edhe të dytin. Do të japim maksimumin dhe do të shfrytëzojmë çdo mundësi që po na jepet.

Kemi një lajmërim paraprak, ende nuk është vendosur, për të zbritur në fushë të hënën e ardhshme, në orën 17:00. Deri tani jemi stërvitur në shtëpi, por dalja në fushë me stërvitje individuale është shumë pozitive, një hap përpara në këtë situatë”, është shprehur fillimisht kapiteni Canka.

canka

6 FINALE – Lushnjarët janë njohur edhe me datat e 6 ndeshjeve të mbetura nga ky kampionat. “Ashtu siç pritej, gara do të rifillojë aty ku u ndërpre, me derbin me Apoloninë. Edhe mua më duket se një muaj kohë është e mjaftueshme për përgatitjet. Moti ka filluar të jetë i nxehtë dhe kështu do të jetë sidomos në vazhdim.

Do të përgatitemi ta sfidojmë edhe të nxehtin, do të përgatitemi për të luajtur 6 finale. Lushnja është e detyruar të shfrytëzojë në maksimum ndeshjet e saj, që do të thotë duhet të marrë pikë të plota për të kapur vendin e parë në tabelë. Jemi dy e nga dy pikë larg me rivalët. Objektivi i Lushnjës është i qartë, rikthimi në Superiore.

Të përgatitemi mirë gjatë kësaj periudhe dhe të marrim rezultatet që na duhen me fillimin e fazës së tretë”, ka përfunduar kapiteni dhe golashënues i lushnjarëve, Mikel Canka. Derbi me Apoloninë, që luhet më 14 qershor, është vendimtar për objektivin e Lushnjës, së cilës nuk i falet më asnjë gabim.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"