“Janari është i vakët”, mesfushori i Besës: Nuk presim Mesin e Ronaldon, pse kaq zhurmë?!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 20, 2021 | 17:54

“Janari është i vakët”, mesfushori i Besës: Nuk presim Mesin e Ronaldon, pse kaq zhurmë?!

Të gjitha klubet janë të përqendruara te merkatoja gjatë kësaj periudhe dhe përjashtim nuk mund të bëjë as Besa. Kavajasit, në fakt, nuk kanë bërë asnjë afrim për të qenë deri tani, e megjithatë në klub nuk janë të shqetësuar.

Tafili Bes

Alsid Tafilit nuk i duket e drejtë kjo mani e klubeve shqiptare, gjë që e thotë edhe në një bisedë për “Panorama Sport”: “Nga përvoja ime e gjatë në futboll, kam mësuar se në merkaton e dimrit bëhet kryesisht ndonjë ‘arnim’. Kjo, për të shtuar një lloj rivaliteti edhe për alternativa në rast dëmtimesh e kartonësh. Megjithatë, më shumë se 3 afrime nuk mund të bëhen, sepse do të ndikonte për keq te grupi. Edhe Besa ka nevojë për përforcime, por unë mendoj që kjo thjesht për të rritur konkurrencën.

Çdo ekip do preferonte sa më shumë lojtarë cilësorë dhe kjo është normale, por është shumë e vështirë të gjesh sot, në janar, futbollistë cilësorë të lirë. Nuk do të vijë as Mesi e as Ronaldo, që bëhet kaq zhurmë merkatoje. Sipas bindjes sime, vështirë të gjejë Besa në këtë kohë lojtarë më të mirë se Muçaj, Sefa, Kaina, Kukaj, pse jo, unë dhe të tjerë”. Në miqësoren e fundit që kavajasit luajtën përballë Orikumit, munguan Kukaj, Shima dhe vetë Tafili, por stafi teknik është qetësuar. Ata janë rikthyer në stërvitje dhe vend për panik nuk ka. “Nuk kam ndonjë dëmtim të madh as unë e as Shima e Kuka.

Thjesht vuajmë disa shqetësime të lehta, të shkaktuara këto më shumë nga terreni ku stërvitemi. Mërgjyshi nuk donte që ne të kalonim në ndonjë dëmtim më të rëndë dhe kaq”, u shpreh shkodrani. Ndërsa duke u kthyer te Besa e tij, 33- vjeçari ka bindjen se kavajasit kanë grupin e duhur për të përballuar me sukses pjesën e mbetur të sezonit. “Vijnë apo nuk vijnë përforcime, unë kam bindjen se Besa e ka grupin. Nuk them se skuadra nuk ka nevojë për përforcime, por edhe kështu ia dalim. Na duhet vetëm të mos bëjmë më gabime si ato me Tomorin apo edhe Egnatian në Kavajë”, përfundon Tafili.

FERIZ FERIZAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"