“Jam trajner autodidakt, nuk studioj kurrë”, Klop rrëfen sekretet: Urrej kostumet dhe rrjetet sociale

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 23, 2020 | 23:48

“Jam trajner autodidakt, nuk studioj kurrë”, Klop rrëfen sekretet: Urrej kostumet dhe rrjetet sociale

Personazh në fushë, personazh jashtë saj. Jyrgen Klop është një nga trajnerët më karizmatikë në qarkullim. Në një intervistë për programin “Të jesh trajner”, tekniku i Liverpulit zbulon sekretet se kush e ka frymëzuar në karrierë, përse i urren rrjetet sociale dhe nuk vesh kurrë kostum në stol. Përballë reporterit të “Sky Sports”, Viko O’Konër, 52- vjeçari i hedh një vështrim informal karrierës së tij. 

kLOP

Cila është pjesa më e bukur e të qenit një trajner futbolli?

Uau! Paratë?! Haha! Pjesa që punoj në botën e futbollit, sigurisht. E dashuroj atë nga dita e parë që e kam bërë. E kam adhuruar edhe kur isha vetëm një trajner në fillimet e mia dhe askush nuk më njihte.

 Sa keni ndryshuar nga trajneri që e nisi te Mainci? 

Falë Zotit, sot jam më i mirë, por kjo është për shkak të përvojës së shumtë. Më është dashur të kaloj disa eksperienca të vështira dhe ato ishin përvoja pozitive gjithashtu. Di gjithashtu më shumë për futbollin, sepse unë isha futbollist të dielën dhe një trajner të hënën, kështu që nuk kisha shumë kohë për të mësuar gjërat që duhet të mësoja për ditën tjetër. Të jem i sinqertë, nuk lexoj kurrë ndonjë libër për futbollin. Nuk e kam pasur kurrë mundësinë për të parë atë që kanë bërë trajnerë të tjerë, kështu që më është dashur ta mësoj vetë.

jurgen klop

Keni pasur ndonjë shembull frymëzimi në këtë profesion?

Unë mund të marr shumë gjëra nga shumë trajnerë, por e vetmja mundësi është kur ti punon bashkë me ta. Unë jam një admirues, pa e njohur nga afër dhe kam pasur vetëm një bisedë telefonike me Arrigo Sakin. E njihja sigurisht, por u përfshiva pak më shumë në punën e tij kur ish-trajneri im, Volfgang Frank, më solli të gjitha videot e tij. Pash 20-30 apo 500 video të stërvitjes së Milanit në atë kohë.

Cila është cilësia më e rëndësishme e menaxhimit në futboll?

Do të thosha kujdesi ndaj detajit është më i rëndësishmi. Tensioni apo çfarëdolloj gjëje që është në stol, nuk ka rëndësi. Mendoj se mund të jesh trajneri më i mirë në botë dhe të qëndrosh ulur në b… për 90 minuta, por ky nuk jam unë. Trajnerë të tjerë të mirë mund ta bëjnë këtë, por nuk është aq e rëndësishme. Unë përpiqem  të ndihmoj gjatë ndeshjes, qoftë edhe sadopak. Gjëja më e rëndësishme? Kuptimi i futbollit, sigurisht.

Ta shohësh lojën në një këndvështrim më të gjerë, jo vetëm të shënosh apo të mos pësosh. Ka shumë gjëra të tjera të kësaj loje që janë të rëndësishme. Dhe ti duhet të zgjidhësh gjithçka rreth saj dhe t’u lejosh djemve të jenë të përqendruar në gjërat që duhet të bëjnë. Po, ata duhet të gjejnë zgjidhje për veten e tyre në fushë, por këto zgjidhje duhet të jenë përgatitur në mënyrën më të mirë të mundshme në stërvitje.

jyrgen klop

 Sa i studioni skuadrat e tjera nëpër botë? Shikoni video të tyre?

Jo, në fakt. Nuk ulem për të studiuar Barcelonën, Realin, Milanin në kohët e tyre të arta apo Bajernin dhe Sitin. Admiroj shumë trajnerë dhe atë që ata bëjnë, por nuk i shoh mjaftueshëm shpesh për të zbuluar diçka për veten tonë dhe them: “Le ta bëjmë kështu si këta”. Ne përpiqemi ta bëjmë sipas mënyrës sonë, në bazë të brumit që kemi.

E dini që Majk Gordon (presidenti i “FSG”, kompanisë që ka në pronësi Liverpulin) ju ka përshkruar si një burrë polimatematik? 

Nuk mund të jem ashtu sepse nuk e di se çfarë do të thotë?!

Është një person dijet e të cilit zgjerohen në një numër të konsiderueshëm fushash.

Hahaha! Faleminderit Majk! E tha këtë përpara se të rinovoja apo pas?

Përpara. Madje, tha gjithashtu: “Jyrgeni është një nga administratorët më të mirë në botë… Nëse nuk do të ishte trajner, mund të ishte menaxher i kompanisë “Fortune 500″… Përse nuk vishni kostum? 

Nuk më pëlqen. Preferoj të vesh një kostum sportiv për momentin dhe kjo nuk duhet marrë si mungesë respekti. E di që në Angli shumë trajnerë veshin kostum sepse është një ditë speciale, por unë nuk kam kohë të mendoj për këtë përpara një ndeshjeje.

Si e stakoni mendjen nga futbolli?

Duke fjetur gjumë apo kur jam me pushime.

Përse nuk i përdorni rrjetet sociale?

Nuk i kuptoj, po përse duhet t’i përdor? Nuk e kuptoj përse duhet t’u tregosh njerëzve të tjerë, njerëz që nuk i njeh, se çfarë të pëlqen apo jo për momentin. Por, ndoshta ky është një problem i brezit tim. Jam shumë i vjetër për këtë.

Klop

Cili nga lojtarët tuaj ka më shumë gjasa të bëhet trajner dhe përse? 

Djemtë anglezë të moshës së mesme, si Milner, Henderson, Lalana apo Vajnaldum, mund ta bëjnë nëse duan. Më të rinjtë, Firmino dhe ndoshta Arnold gjithashtu, por kanë ende kohë. Ndoshta Lovren dhe gjëja e mirë e tij është se ai mund ta bëjë në 12 vende të ndryshme.

Përgatiti: ANDROKLI DRALO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"