“Jam shqiptar dhe jo… maqedonas”, Mevlan Adili: Vllaznia ka 2 finale Championsi, golin ndaj Kukësit ma parandjeu bashkëshortja

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 21, 2020 | 21:26

“Jam shqiptar dhe jo… maqedonas”, Mevlan Adili: Vllaznia ka 2 finale Championsi, golin ndaj Kukësit ma parandjeu bashkëshortja

Goli i Mevlan Adilit riktheu shpresat e Vllaznisë në ndeshjen ndaj Kukësit. Qendërmbrojtësi 26-vjeçar, i ardhur te shkodranët në merkaton e janarit, në një intervistë për “Panorama Sport” pas fitores me verilindorët, tregoi për emocionet e golit dhe foli për të ardhmen.

Adili55

Ai mendon se Vllaznia duhet t’i luajë ndeshjet e fundit në kampionat si dy finale të Ligës së Kampioneve. Mbrojtësi që ka provuar të veshë edhe fanellat e Shkëndijës së Tetovës dhe Shkupit në Maqedoninë e Veriut, tregoi edhe pse nuk zgjodhi rrugën e trajnerit Mirsad Jonuz apo lojtarëve të tjerë me origjinë nga vendi fqinj pas muajit maj.

Mevlan, një gol që mban gjallë shpresat e Vllaznisë për të shmangur ndeshjen “play out”. E prisnit që mund ta thyenit Kukësin?

Së pari, më duhet të falënderoj Zotin që na e shpërbleu të arrinim këtë fitore pas shumë rasteve që patëm gjatë ndeshjes. Të gjithë e panë se çfarë loje zhvilluam dhe mundi i të gjithë shokëve, të cilët i falënderoj nga zemra, u shpërblye me tri pikë ndaj një kundërshtari si Kukësi. Dhamë shpirtin në fushë dhe për fat të mirë shënuam në fund. Jam i lumtur që këtë gol e shënova unë.

Qëndrimi në Superiore pa zhvilluar një ndeshje shtesë nuk varet vetëm nga ju. Besoni se mund ta parakaloni Bylisin në dy javët e fundit?

Pa diskutim që ne do të luajmë për fitore në dy ndeshjet e mbetura. Për mua këto janë dy finale të mëdha, që për ne do të kenë më shumë vlerë ndoshta edhe se finalja e Ligës së Kampioneve.

Pas golit menjëherë shkuat te një nga kamerat e transmetimit “live” të ndeshjes. Kishit ndonjë dedikim special?

Ky gol shkon për familjen time dhe posaçërisht bashkëshorten, e cila edhe para ndeshjes më tha se kishte ndjenja shumë pozitive që unë do të shënoja. Dhe kështu ndodhi, prandaj dhe bëra atë gjest.

Adili5

Janë larguar trajneri Jonuz dhe lojtarët e tjerë nga Maqedonia e Veriut, ndërsa ju nuk e morët një hap të tillë. Çfarë ju mbajti në Shkodër?

Shikoni, ajo është e drejta e tyre se çfarë duan të vendosin për të ardhmen. Unë këtu kam ardhur për Vllazninë dhe e ndiej veten shumë të sigurt në mëmëdhe. Jam shqiptar, nuk jam maqedonas.

Do të vazhdoni të jeni pjesë e Vllaznisë edhe në sezonin tjetër apo nuk ka asgjë të sigurt?

Unë do të vazhdoj të jap maksimumin, kudo që të luaj. Gjithmonë unë jam maksimumin, si te Vllaznia apo tjetërkund. Jam profesionist, sepse kjo është puna ime. Nga ky profesion unë jetoj dhe mbaj familjen me bukë. Do të jap 100 % kudo që të jem.

ADMIR URUÇI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"