“Jam mësuar të luaj me dy sulmues dhe tani Hoxha është larg meje”, “Shfryn” Canka: Furnizohem pak!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 4, 2021 | 12:35

“Jam mësuar të luaj me dy sulmues dhe tani Hoxha është larg meje”, “Shfryn” Canka: Furnizohem pak!

U bënë javë që në një formë a në një tjetër, sulmuesit janë vënë nën akuzë. Flitet për raste të shpërdoruara, e megjithatë ndryshe mendon Mikel Canka. Lushnjari nuk është i kënaqur me tre golat që ka shënuar, por mendon se diçka çalon në tërësi me manovrën. Gjatë një prononcimi të dhënë për “Panorama Sport”, ai e thotë hapur se nuk është furnizuar sa duhet.

mikel canka

“Hoxha dhe unë kemi gjithë kualitetin dhe përvojën në sulm. Është logjike që pritshmëritë të jenë të mëdha. Janë shumë pak gola, 3 në total të shënuar nga sulmi, më saktë nga unë. Do pranoja të quhesha unë ‘humbësi i një ndeshjeje’, nëse vërtet do shpërdoroja 2-3 raste të pastra të servirura nga shokët si produkt logjik i lojës.

Kjo, në fakt, nuk ka ndodhur, pasi kam pritur e pres që ne dy sulmuesit të furnizohemi më me shumë topa. Mund të ndikojë edhe skema se si luajmë, pasi unë kam luajtur gjithnjë me dy sulmues, ndërsa tani Hoxha qëndron disi më larg meje.

Por besoj se përshtatja sa më shpejt me skemën do të vijë dhe ju do shihni rezultatet e kësaj”, tha fillimisht 34-vjeçari, duke shpjeguar atë që po ndodh me sulmin.

NGËRÇI

Besa ka një shpërndarje të golave të shënuar në të tria repartet, çfarë i jep ndoshta të drejtë Cankës. Rastet ideale të shënimit me Apoloninë nuk i pati lushnjari, në fakt, por mesfushorët e mbrojtësit të spostuar në zonën mike. Përvoja e një goleadori nxjerr edhe shkaqet e humbjes. “Dhemb shumë ajo humbje. Thuajse ia dhuruam vetë kundërshtarit, duke mos bërë detyrën në pjesën e parë.

Si në asnjë ndeshje tjetër, vumë nën presion Apoloninë edhe pse ata kishin shënuar të parët. Luajtëm mjaft qartë, saktë, duke krijuar raste ideale shënimi, jo unë, por shokët e mi. Në pjesën e dytë, dëshira për gol triumfoi mbi disiplinën taktike dhe kërkuam golat jo në mënyrën e qetësinë që kërkohet.

Madje, kjo mënyrë loje, ky presion vijoi më me forcë në 20 minutat e fundit, por nuk ia dolëm. Ndaj thashë më lart se jam i pakënaqur nga mosfurnizimi me topa nga ekipi drejt meje, për të shfrytëzuar në maksimum aftësitë e mia dhe përvojën time.

Besoj se gjëja që di të bëj më mirë është të shënoj në rastet që më jepen, por kjo nuk po ndodh me krijimin e rasteve për mua”, shprehet lushnjari.

ZGJIDHJA

Kjo analizë e sulmuesit natyrisht që ka një prognozë edhe për të ardhmen. Ai gjykon se këtij grupi nuk i mungon asgjë për të shkuar drejt suksesit.

“Më herët isha shumë i sinqertë kur fola mbi çfarë dëshiroj të ndryshoj në lojën e ekipit, por kur ke kualitet, që Besa e ka, atëherë kjo zgjidhet lehtë dhe shpejt.

Me aq përvojë mbi shpatullat e Perjes, Tafilit, Çelës, Muçës, Hoxhajt, Hoxhës, Hysenit e të tjerëve, me siguri që do të reagojmë besoj që në ndeshjen e radhës”, përfundoi Canka.

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"