“Jam më i qetë me rikthimet, ndeshja më e vështirë”, plotësohet Besa, Bubeqi: Gabimet janë të ndaluara

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 14, 2021 | 11:01

“Jam më i qetë me rikthimet, ndeshja më e vështirë”, plotësohet Besa, Bubeqi: Gabimet janë të ndaluara

Përmbyset situata te Besa. Nëse të shtunën do të luanin të përgjysmuar, sot jo. Grupi është zyrtarisht i plotësuar dhe nuk kanë asnjë të dëmtuar. Prej së premtes me grupin janë stërvitur Ledion Muçaj, Alsid Tafili dhe Emiljano Çela, ashtu si edhe Mikel Canka e Skerdian Perja.

bubeqi besa

Dy të fundit vetëm një ditë u panë të veçuar, por nuk ka vend për panik. I vetmi i padisponueshëm është Erald Hyseni, i cili vazhdon të jetë i pezulluar prej Komisionit të Disiplinës.

Dukshëm edhe Dorjan Bubeqi është më i qetë dhe kjo i jep të drejtë që të besojë dhe kërkojë pikë përballë Erzenit, kundërshtarit me të cilin do të matin forcat në Luz.

“Vetëm me formacion të plotë mund të përballesh me ekipe si Erzeni. Kështu që, ndihem i qetë, pasi nesër (sot) do të mund të hedh në fushë futbollistët më në formë”, tha fillimisht trajneri gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”.

E SHKUARA – Për të është përballje speciale, pasi deri në fund të sezonit të shkuar ishte ai në “timon”. Emocionet janë prezente dhe këtë e pranon edhe vetë: “Është kënaqësi të luash përballë ekipit që deri vjet e drejtoja dhe përballë asaj tifozërie të mrekullueshme. Erzeni i sotëm ka shumë ndryshime nga ai i sezonit të shkuara, pasi edhe investimet financiare janë dyfishuar…”

TERRENI – Jo pak herë ish-trajneri Ndriçim Kashami është ankuar për terrenin e Luzit dhe në të njëjtën linjë është edhe aktuali. “E kam thënë shumë herë se mënyra si Besa luan duke preferuar lojën teknike me pasime, fusha na penalizon disi. Këtë e dinë më mirë se kushdo vetë lojtarët, të cilët do dinë se si të përshtaten e marrin më të mirën”, theksoi kavajasi.

SYNIMI – Derisa e njeh lojën e Erzenit, e ka të qartë se kjo do të jetë një përballjet më të vështira. E megjithatë, synimi mbetet një: fitorja. “Për vetë përbërjen dhe ambiciet që ka Erzeni, pres të jetë një ndeshje nga më të vështirat. Shijakasit vijnë për fitore në Luz, por edhe neve vetëm fitorja na bën punë.

Në këtë situatë, jam i ndërgjegjshëm se fati i kësaj përballjeje do të varet më shumë jo nga loja, pasi të dyja ekipet kanë grupe të forta, por më shumë do shfrytëzohen në maksimum gabimet e njërit apo tjetrit. Ajo që pres dhe ua kam bërë të qartë lojtarëve të mi është ruajtja e qetësisë, sakrifikimi në çdo minutë dhe të minimizojnë në maksimum gabimet. Erzeni të ndëshkon qoftë edhe me një rast dhe ne duhet të jemi cinikë e pragmatistë.

Pres nga lojtarët me përvojë të administrojnë lojën dhe të shfrytëzojnë maksimalisht qoftë edhe një gjysmë rasti. Po ashtu, prapavija duhet të vlerësojë çdo top në zonë me seriozitetin më të madh. Ajo që dua, pres e shpresoj, është që Besa të jetë ekipi që do dijë të administrojë fatet e kësaj përballjeje”, përfundoi Bubeqi.

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"