“Jam mahnitur nga tifozëria”, rrëfehet kapiteni Husaj: Ja pse zgjodha Olimpiakosin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 20, 2019 | 17:35

“Jam mahnitur nga tifozëria”, rrëfehet kapiteni Husaj: Ja pse zgjodha Olimpiakosin

Volejbolli në Shqipëri, përtej prob lemeve të mëdha financiare, përfundoi një sezon me shumë rivalitet si te meshkujt, ashtu edhe te femrat, duke na dhuruar sfida tepër emocionuese sidomos në fazën “play-off”.

Husaj

Gjithashtu lojtarët kuqezinj që aktivizohen në klubet europiane regjistruan një edicion mjaft pozitiv, ku u dalluan Erblira Bici, e cila arriti një rezultat historik duke u shpallur kampione Europe, me Novarën, si dhe Gazmend Husaj, që korri një triumf të dyfishtë në Francë, duke fituar kampionatin dhe Kupën me ekipin e tij, Turs. Disa ditë më parë, Husaj pasi përfundoi kontratën me skuadrën franceze, firmosi me grekët e Olimpiakos.

gazmend-husaj

Një hap tjetër përpara për kapitenin e kombëtares së meshkujve. Në një intervistë për “Panorama Sport”, ai flet për kalimin në radhët e gjigantëve helenë: “Me përfundimin e një sezoni të jashtëzakonshëm që kalova në Francë me Turs, duke fituar kampionatin dhe Kupën, mora oferta të ndryshme në Europë dhe më gjerë.

Pas një kohe të gjatë bisedimesh, vendosa që ekipi im i ri të jetë Olimpiakos, pasi siç dihet, ky ekip ka shumë vite që i jep tonin kampionatit grek, gjithashtu edhe Kupave të Europës. Ideja dhe projekti i klubit ishin mjaft të qarta për mua”, shprehet Husaj për kalimin e tij në Greqi.

31- vjeçari nga Peja tregon eksperiencën dhe përshtypjet që i ka lënë Olimpiakosi kur e ka ndeshur si kundërshtar, ku luante me turqit e Inegol: “Kam pas rastin të luaj disa herë ndaj Olimpiakosit dhe e kam ndjekur edhe në shumë ndeshje. Më ka lënë gjithmonë përshtypje të mira. Vendi është i bukur pa harruar që ka edhe një tifozëri shumë të zjarrtë dhe të jashtëzakonshme që më ka mahnitur”.

Husaj

Kujtojmë që Olimpiakos është skuadra kampione në fuqi e Greqisë në volejboll për meshkuj, e gjithashtu mban rekordin me 29 tituj kampionë të fituar. Ndërkohë, për sa u përket objektivave, Husaj është shumë i qartë: “Ekipi është i ndërtuar që të fitojë gjithçka në Greqi si dhe të jetë një shtyllë e fortë edhe në Kupat e Europës”, shprehet sulmuesi kuqezi.

Më pas shtatlarti i rikthehet edhe një herë eksperiencës fantastike që kaloi në Francë: “Pa dyshim që ky vit me skuadrën Turs ka qenë më i miri në karrierë për mua. Fitimi i kampionatit dhe i Kupës brenda një sezoni nuk më kishte ndodhur asnjëherë më parë. Do mbetet gjithmonë në zemrën time si një eksperiencë e jashtëzakonshme”.

Në fund, Gazmend Husaj komenton edhe rrugëtimin e Kombëtares shqiptare në eliminatoret e kampionatit Europian, ku skuadra e Jani Melkës iu afrua shumë një kualifikimi historik, por për pak nuk ia doli.

“Ishim shumë pranë kualifikimit, ndonëse në grup kishim skuadra mjaft të mira. Kjo tregon ngritjen që ka pasur Kombëtarja jonë në vitet e fundit. Shpresoj që të vazhdohet të punohet dhe të mos mbetet me kaq. Nëse këtë radhë ishim kaq afër kualifikimit, unë besoj dhe shpresoj në eliminatoret e ardhshme do ia dalim.

Megjithatë, puna sistematike duhet të vijojë në mënyrë që të marrim fryte edhe në të ardhmen”, përfundoi lideri i Kombëtares sonë të volejbollit.

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"