“Jam gati për një ligë të madhe”, rrëfimi i Ernest Muçit: Idhull Levën, Kombëtarja ëndërr

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 30, 2022 | 21:00

“Jam gati për një ligë të madhe”, rrëfimi i Ernest Muçit: Idhull Levën, Kombëtarja ëndërr

Ernest Muçi është rish faqur në vitin 2022 si ndër lojtarët e rinj më të talentuar që kanë dalë nga Shqipëria kohët e fundit. Qendërsulmuesi, tashmë ka bërë hapa të rëndësishëm në karrierën e tij, pavarësisht moshës së tij të re, duke luajtur për klube të mëdha në Shqipëri, Dinamo dhe Tirana, si dhe në Europë me Legian e Varshavës.

muci

Në moshën 21-vjeçare, Muçi është një veteran, pasi e ka nisur karrierën e tij me Dinamon kur ishte 16 vjeç përpara se të transferohej te rivalët e qytetit, KF Tirana. Ai kujton për “Tribalfootball.com”, gjithë karrierën e tij sportive.

FILLIMET – “Isha 16 vjeç kur u transferova nga Dinamo te akademia e KF Tiranës dhe 6 muaj më vonë ekipi i parë thirri familjen time dhe më thanë se mund të shkoja për përgatitje në Antalia. Isha shumë i emocionuar. Pasi u kthyem në Shqipëri, debutova kundër Shkumbinit dhe pata shumë emocione. Ndihesha shumë krenare që emri im ishte në fanellë, ishte fanella ime e parë!”, tha në fillim sulmuesi.

GOLI I PARË – Natyrisht si sulmues, Muçi ende e kujton mirë golin e tij të parë në futbollin e madh. “Ishte data 3 mars 2018”, thotë me krenari Muçi. “Kam shënuar golin e parë kundër Shënkollit. Me një klub të madh si Tirana ishte një ëndërr e realizuar në atë moshë. Ne u kthyem nga Kategoria e Parë, në Superiore. Unë isha shumë i lumtur që isha pjesë e atij ekipi dhe më pas gjithçka ndodhi ashtu siç ndodhi dhe ne fituam kampionatin ku shënova gola të mëdhenj. Isha shumë krenar që isha pjesë e atij ekipi”.

POLONIA – Tani me Legian në Poloni, Muçi po fiton gjithnjë e më shumë admirues nga brenda dhe jashtë vendit. “Jam i lumtur që njerëzit më thonë se jam një nga futbollistët më të talentuar në Shqipëri, por nuk dua të jem thjesht një talent. Dua të tregoj gjithnjë e më shumë veten për Kombëtaren dhe klubin tim, Legian. Unë jam ende i ri 21 vjeç, por duhet të bëj gjithnjë e më shumë punë që të jem versioni më i mirë i vetes”, thotë më tej Muçi. Duke reflektuar për lëvizjen e tij në Poloni vitin e kaluar, Muçi thotë se shansi për t’u bashkuar me Legian ishte një mundësi që ai nuk ngurroi ta pranonte. Fakti që Legia ishte i gatshëm të bënte ofertë për të gjatë dritares së janarit ishte diçka lajkatare.

“Në janar të vitit 2021, agjenti im më tha se Legia e Varshavës ishte e interesuar për mua dhe unë i thashë drejtpërdrejt ‘OK, bëje të ndodhë!’. Më pas folëm me Tiranën dhe transferimi u realizua. Isha shumë i lumtur që kalova në këtë. Ishte një nga ëndrrat e mia që kur fillova të luaja futboll të luaja për një klub të madh jashtë Shqipërisë, kështu që ishte vërtet një ëndërr e realizuar për mua.

“Zgjodha Legian, sepse skuadra ishte kampione e Polonisë. Ata luanin në Europë dhe ishte një mundësi e mirë për mua që të tregohesha dhe të isha pjesë e një klubi të madh me një histori të madhe dhe kjo është arsyeja pse nuk u mendova dy herë kur ata më thirrën”.

DY VITE – “Tashmë me medaljet e fituesit në kabinetin e tij të trofeve si lojtar i Legias, Muçi vazhdon më tej: “Përvoja te Legia këto dy vitet e fundit ka qenë shumë e mirë për mua. Kemi fituar një kampionat. Edhe pse sezoni i kaluar nuk ishte më i miri për ne. Për sa i përket formës personale, po bëj mirë për ekipin tim dhe tani jemi kthyer këtë sezon në një mënyrë të mirë për të luftuar për kampionatin.

Mendoj se skuadra është vërtet stabile. Jemi bashkë dhe atmosfera është shumë e mirë”. Te Legia, Muçi ndan dhomën e zhveshjes me ishmbrojtësin e Nottingham Forest, Yuri Ribeiro dhe ish-anësorin e QPR, Pavel Vszolek. “Jam shumë i lumtur që kam këta shokë skuadre në Legia. Janë lojtarë me shumë përvojë dhe kanë luajtur në liga të mira. Dy nga modelet e mia më të mira. Punojnë shumë dhe janë shumë të sjellshëm me të gjithë. Jam shumë i lumtur që kam kaq shumë lojtarë të mirë për të parë dhe studiuar çdo ditë. E di që duhet të mësoj prej tyre”.

KOMBËTARJA – Me karrierën e tij në klub në rrugën e duhur, Muçi pranon se hyrja në ekipin e parë të Shqipërisë gjatë 12 muajve të fundit ka qenë një tjetër ëndërr e përmbushur e fëmijërisë. “Jam shumë i lumtur që bëra debutimin tim kundër Andorrës (në nëntor 2021) në qytetin tim Tiranën. Mendoj se është një ëndërr për çdo lojtar të luajë për vendin e tij”. Shqipëria luajti këtë muaj dy ndeshje miqësore kundër Italisë dhe Armenisë. Sulmuesi i ri luajti nga minuta e parë kundër Armenisë, ndërsa ishte në stol për ndeshjen kundër Italisë.

“Mendoj se për Shqipërinë ishte një provë e mirë të luante kundër Italisë, kampionëve të Europës. Lojtarët që ata kanë janë të mrekullueshëm dhe për mua ishte një përvojë e mirë t’i shikoja ata duke luajtur. Ishte një provë e mirë për ne. Mendoj se shorti për “Euro 2024″ është i mirë për ne. Duhet të punojmë shumë dhe të jemi bashkë në këtë rrugë që kemi.

Ne kemi një shans të madh për të qenë në Euro në Gjermani. Synimi im personal është të jem pjesë e skuadrës dhe të jap maksimumin sa herë që luaj, ose vendi është shumë i rëndësishëm për ne që të arrijmë objektivin tonë dhe të përpiqemi të kualifikohemi në fazën e grupeve”, vazhdoi më tej sulmuesi.

MODELI – I pyetur për një model, përgjigja e Muçit ishte e shpejtë dhe e qartë duke pasur parasysh lidhjen e tij polake. “Më pëlqen të shikoj Levandovskin duke luajtur. Mendoj se ai është shumë i zgjuar në mënyrën se si lëviz rreth zonës. Mendoj se ai është një nga më të mirët në atë pozicion, përpiqem të mësoj sa më shumë që të jetë e mundur.”

MAJAT – E tillë është rritja e futbollit shqiptar në vitet e fundit, sa Muçi është vetëm një nga shumë të gjeneratës së tij që tani luan në liga në të gjithë Europën, përfshirë Serinë A dhe Premier Leaguen. Dhe ai pranon bisedat e rregullta me shokët e skuadrës për përvojat e tyre. Por tifozët e Legias nuk duhet të shqetësohen. Për momentin, Muçi është plotësisht i përkushtuar ndaj polakëve, megjithëse do ta mbajë derën hapur për të ardhmen.

“Po, të gjithë miqtë e mi që kam pasur në moshën nën 19 dhe 21 vjeç, që tani janë në klube të mira dhe kampionate të mira, kam folur me ta, më thonë të vazhdoj të punoj dhe nuk dihet kurrë në futboll. Tani jam i fokusuar më shumë te Legia dhe duhet të jap 100% sa herë që luaj, shpresoj të kem rezultatet më të mira me Legian dhe më pas do të shohim se çfarë do të ndodhë”, mbylli Ernest Muçi.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"