“Jam familjar e kam 3 fëmijë”, shqiptari që shkroi historinë me Zvicrën tronditet nga vendimi i klubit të Bundesligës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 7, 2021 | 18:57

“Jam familjar e kam 3 fëmijë”, shqiptari që shkroi historinë me Zvicrën tronditet nga vendimi i klubit të Bundesligës

Admir Mehmedi me siguri nuk e kishte menduar se pak muaj pasi kishte qenë pjesëtar i skuadrës që eliminoi Francën nga EURO 2020, do të mbetej jashtë planeve të ekipit të tij dhe thuajse i padëshiruar në klub. Sulmuesi shqiptar i cili përfaqëson Zvicrën, duke qenë i pari mes futbollistëve të këtij vendi që shënonte si në Europian, ashtu edhe në Botëror, ka pranuar se ka mbetur “i troditur” nga vendimi i Volfsburgut për ta lënë jashtë listës së Ligës së Kampioneve.

mehmedi

Trajneri Mark Van Bomel nuk e ka përfshirë në listën e skuadrës dhe tashmë për lojtarin ishte e qartë se për të nuk ka më vend në klub. Ai po mendon çdo opsion, por konfirmoi se për momentin kalimi në një kampionat si Turqia apo Rusia ku afati kalimtar është ende i hapur, nuk është diçka që e mendon si të mundur.

“Isha i tronditur, i çuditur e padyshim i zhgënjyer. Nuk kam kaluar asnjëherë një situatë të tillë më parë në karrierën time. Kalimi në Turqi apo Rusi? Mundësia është shumë, shumë e vogël. Ai do të ishte një vendim i shpejtë, ndërsa unë i marr vendimet me shumë kujdes. Tani jam 30 vjeç, jam familjar dhe kam tre fëmijë. Duhet të marrësh shumë gjëra në konsideratë”, tha Mehmedi për “Bild”. Ai nuk ka hedhur poshtë as mundësinë e kthimit në Zvicër, teksa zbuloi se ëndrra e tij ishte të mbyllte karrierën te Vintertur ose Zyrihu.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"