Jakovljeviç rrëfen eksperiencën te Luftëtari: Kapim Europën! Jam serb, por qytetarët më…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 20, 2018 | 18:56

Jakovljeviç rrëfen eksperiencën te Luftëtari: Kapim Europën! Jam serb, por qytetarët më…

Vllaznia do të jetë kundërshtari i radhës për bluzinjtë të shtunën, në kuadër të javës së 30-të. Të vetëdijshëm për misionin që kanë shtatë javë nga ulja e siparit të sezonit futbollistik 2017- 2018, nën drejtimin e trajnerit Hasan Lika, bluzinjtë vijojnë përgatitjet me dy seanca stërvitore. Pjesë e kontingjentit të Luftëtarit, mbrojtësi serb Ivan Jakovljeviç, i cili në intervistën e tij ekskluzive për “Panorama Sport” rrëfen gjithçka.

gavazaj jakovljevic

Ivan, u bëtë pjesë e Luftëtarit në merkaton e janarit. Mendoni se keni bërë zgjedhjen e duhur?

Po, kam bërë zgjedhjen e duhur kur pranova ofertën për të mbrojtur ngjyrat e Luftëtarit. Në Gjirokastër kam gjetur ambientin e duhur. Me shokët e skuadrës kam marrëdhënie shumë të mira dhe për këtë ndihem shumë i lumtur.

Keni jetuar në Vlorë bashkë me familjen tuaj, vajzën dhe djalin. Ku keni e ndier veten më mirë?

Vlora është qytet bregdetar dhe ka tjetër ndjesi. Deti ofron kënaqësi dhe ndjesi ndryshe, birrën e ftohtë dhe peshkun. Në Gjirokastër mishi është ushqimi i preferuar, jo vetëm nga unë, por dhe nga shokët e ekipit. Në jetën e përditshme ndihem komod, respektohem nga kalimtarët, pavarësisht se jam me kombësi serbe. Në Shqipëri nuk ka preferenca të veçanta. Të gjithë vlerësohen të barabartë në fushë. Më i miri duartrokitet dhe respektohet në fushë dhe jo vetëm. Panorama që ofron Gjirokastra është e veçantë ashtu si dhe njerëzit.

Ivan, nisur nga rezultatet dhe loja e Luftëtarit, besoni te pjesëmarrja e Luftëtarit në Kupat e Europës?

Nëse nga transferta e Shkodrës dalim me rezultat pozitiv, gjë për të cilën shpreh bindjen se do ta arrijmë, atëherë Europa nuk është thjesht një dëshirë e jona, por objektiv për t’u arrirë. Luftëtari, jo për të bërë modestin, por për të qenë i sinqertë, është familje e bashkuar në shërbim të objektivave të përcaktuara nga drejtuesit me në krye presidencën.

Tomor Shehu

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"