“Jabanxhinjtë” duken të larguar, Ilir Gjyla zbulon planet për sezonin e ri: Do rinovohemi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga bota e sportit

Postuar: Gusht 11, 2020 | 22:45


“Jabanxhinjtë” duken të larguar, Ilir Gjyla zbulon planet për sezonin e ri: Do rinovohemi

Lushnja zbriti dje pasdite në fushën e stadiumit “Roza Haxhiu”, duke zhvilluar seancën e parë stërvitore në kuadër të përgatitjeve për sezonin 2020- 2021. Në këtë seancë të parë ishin të pranishëm 17 lojtarë dhe duhet theksuar se mungonin “jabanxhinjtë” që me sa duket e kanë mbyllur bashkëpunimin me Lushnjën.

gjyla

“Në fakt, e kishim planifikuar për më 17 gusht grumbullimin, por sekretari i klubit na njoftoi se kampionati fillon më 19 shtator dhe dolëm në stërvitje. Nuk jemi shpejt, jemi në kohën e duhur”, tha në fillim për “Panorama Sport” tekniku Ilir Gjyla.

RINOVIMI – Trajneri i Lushnjës ka një kontratë njëvjeçare me klubin lushnjar. Ai do të ndërtojë skuadrën e sezonit të ri, që do ketë disa ndryshime. “Do të ndërtojmë një Lushnjë për një kompeticion serioz. E kam thënë dhe e them se disa gjëra nuk janë në dorën tonë, me gjithë gabimet që kemi bërë. Duhet të pranojmë gabimet, që nuk kanë qenë pak. Gjithsesi, të mos u kthehemi atyre që kanë ikur, duhet të ndërtojmë një Lushnjë serioze.

Nga futbollistët që mbyllën sezonin me Lushnjën, 5-6 janë larguar. Nuk janë larguar, sepse nuk dhanë për Lushnjën, i kam falënderuar për atë çfarë dhanë, aq më tepër që bënë edhe sakrifica. Udhëtimet e përditshme vajtje-ardhje janë një sakrificë për futbollistin. Mendoj se duhet një rinovim në skuadër, por patjetër që lushnjarët janë pjesë e skuadrës”, theksoi Gjyla. Ai nuk përmendi emra, por të larguar janë lojtarët nga qytetet e tjera, që nuk ishin në stërvitje. Nako dhe Magani e kanë pohuar vetë për gazetën, ndërsa të larguarit e tjerë i bie të jenë Branica, Gava, Mone e ndonjë tjetër.

Lushnja-Devolli

AFRIMET – Trajneri lushnjar pohoi se do të ketë afrime. “Do kemi afrime dhe i mirëpresim, por jo afrime të nivelit të stolit. Për të qenë të sinqertë, këtë vit që kaloi kemi pasur edhe lojtarë të nivelit të stolit. Unë kam qenë ai që kam thënë që një lojtar i huaj duhet të jetë 50% më i mirë se lojtarët e mi për të ardhur te Lushnja, por ashtu ndodhi, nuk u përputhën emrat me çfarë kishin brenda.

FUTBOLLISTET

Do mundohemi këtë radhë të paktën të mos gabojmë, të marrim futbollistë që na duhen për kampionatin”, shtoi Gjyla. Pas disa seancave në “Roza Haxhiu”, lushnjarët do t’i vijojnë përgatitjet në kushte grumbullimi, pasi bashkia ka dhënë garanci për këtë gjë.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL




Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama Sport" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA SPORT: https://www.facebook.com/groups/sportionline/

www.minuta90.com