Ja pse e doja fort Zihni Gjinalin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 1, 2022 | 19:13

Ja pse e doja fort Zihni Gjinalin

Koment nga ADRIATIK DOSTI
Sepse ishte trim, i mençur, i ditur, qytetar model i Tironës sonë. Kishte goxha personalitet, dinjitet, karakter, qytetari e sportivitet. Sepse ishte shumë i qetë e i matur në çka thoshte e bënte, ishte serioz e tepër korrekt, ishte enciklopedi qytetare e sportive. Sepse qeshte rrallë e atëherë kur duhej. Ishte besnik e skrupuloz i ideve të tija, i dashur, familjar i shkëlqyer, mik i rrallë e i çmuar, i lexuar, nacionalist, vishej Shik e ta kish ënda të rrije e të bisedoje me të.

adriatik dosti

Adriatik Dosti

Prej tij mësoje, madje shumë! E vetmja gjë për të cilën unë “nuk e doja” Zihni Gjinalin dhe isha xheloz ndaj tij, ishte fakti se ai kish pranuar të ishte partizanas e dinamovit dhe kish veshur fanellat e tyre, madje duke shkëlqyer e fituar kupa e tituj kampion si dhe nuk u vesh bardhë e blu siç do dëshiroja unë e qindra mijërat e dashamirësve të Tironës sonë. Që nga mesvitet 70-të,  sidomos në fillim vitet 80-të e derisa u largova përfundimisht nga Shqipëria kam ndenjur fort afër figurave të shquara të historisë së sportit kombëtar shqiptar e veçmas futbollit dhe drejt me e thënë, kam mësuar aq shumë prej tyre sa u jam mirënjohës për jetë për gjithçka, sidomos në anën qytetare e profesionale.

Nga afër me Zihni Gjinalin më ka njohur idhulli im Myslim Alla, i cili shoqërohej shpesh me të, ani pse ndër vite kishin qenë kundërshtarë jo fort miqësorë me njëri – tjetrin (flas sportivisht), por në jetë ishin e mbeten modeli i shoqërisë e miqësisë qytetare e sportive tironase. Në 2011, në të parën vizitë timen në Shqipëri pas gati 12 vjet emigrimi për në USA, ndër të tjera shkova edhe në varrezat e Sharrës për t’u çmallur me të dashurit e zemrës e të gjakut tim të ndarë nga jeta në vite të ndryshme. Teksa po vija një tufe lule edhe mbi varrin e Nënës së mikut tim të afërt e të mrekullueshëm Luan Isufit (Xhemikos se mrekullueshme e të paharruar), shtanga disi kur ngjitur me të, lexoj mbi varrin fqinj Zihni Gjinali 1926 – 2005.

E përkëdhela dhe e fshiva pak më pëllëmbën e dorës foton e Mjeshtrit të madh të futbollit shqiptar, mora një tufë të madhe lulesh dhe ia vendosa mbi krye në shenjë mirënjohje e respekti mu mbushën sytë me lot dhe befas rrugës së kthimit për në shtëpi u zhyta në kujtime. Zihni Gjinali kish lindur në Tiranë në një familje të shquar kryeqytetase të asaj kohe e më pas ishte shkolluar në Firence të Italisë, por lidhjet e tija me Kavajën janë tepër të ndjeshme e të hershme, madje këtu në 1946 do të niste edhe karriera e tij futbollistike.

Ishte pikërisht biografia e tij “me cen”, por dhe e familjes së tij që e kishin çuar në Kavajë dhe ky qytet e priti dhe e deshi si birin e vet, por edhe Zihni Gjinali e mbajti respektin e dashurinë e tij për Kavajën e kavajasit thellë në zemër deri sa mbylli sytë. Dhe kulmi është se për shkak të biografisë pas ardhjes së komunistëve në pushtet djaloshin e ri e super të talentuar e kishin detyruar të luante vetëm brenda në Kavajë e në asnjë lloj qyteti tjetër të Shqipërisë. E pikas dhe e rrëmben menjëherë Partizani i sapo themeluar i Besim Fagut me shokë, ekip për të cilin Z. Gjinali do të luajë tre vjet rresht, 1946-1949.

Viti i krijimit të Dinamos 1950 e gjen në radhët e bluve, ku do të luajë për ta e më saktë do të shkëlqejë në karrierën e tij brilante si lojtar e trajner bashkë deri në 1956 kur edhe largohet nga futbolli. Isha mes dy rrugëve e dy zgjedhjeve e zgjidhjeve më tregonte shumë vite më parë Mjeshtri Gjinali për shkak të biografisë duhej të vishja fanellat e Partizanit ose të Dinamos së vetëm asisoj ishe disi i qetë e nuk të ngacmonin se ato ta kishin në dorë Tefterin ta zbardhnin ose ta nxinin, ani pse zemra ime rrihte fort për Tironën e Besën e Kavajës, të cilat më donin, por dhe i doja fort qytetarisht e sportivisht. Dhe tek mendon e kujton tragjikisht fatin e hidhur të një tjetër mjeshtri të madh të futbollit tironas e atij shqiptar bashkë, Skënder Halilit, jeta e të cilit u sterros pikërisht prej faktit që nuk pranoi më të luante për fanellën e Dinamos atëherë i jep plotësisht të drejtë asaj çka bëri në karrierën e tij sportive Zihni Gjinali. Sulmues i fortë fizikisht e i fuqishëm golashënues i rregullt, i rreptë taktikisht e kërkues ndaj vetes dhe shokëve të ekipit, model egoizmi sportiv dhe fitues pa limit. Ky ishte Zihni Gjinali teksa mbetet unikal në historinë e futbollit dinamovit e atij shqiptar, kur që prej 1950-1956 fiton në rolin e lojtar – trajnerit plot 6 Tituj Kampion të Shqipërisë, e rrallë dhe e papërsëritshme prej askujt deri më sot.

Madje deri para dy muajsh me 11 trofe në total Z. Gjinali ishte në krye të listës së rekordit personal të trofe-fituesit ndërkohë që tashmë më 12 të tillë është një tjetër kryeqytetas Mirel Josa. Një përplasje me një nga krerët e lartë të Ministrisë së Brendshme të asaj kohe, me Feçor Shehun, të cilit Mjeshtri Gjinali i tregon vendinn nuk e lejon t’i ndërhyje në punët e ekipit që drejtonte e madje ashpërsisht i thotë se këtu Ministër i Brendshëm jam unë e jo ti, ose atëherë po iki unë e ja ku e ke Dinamon, drejtoje ti dhe del nga dhoma e zhveshjes duke ia përplasur derën fytyrës zëvendësit të Kadri Hazbiut.

Por ky sherr nuk kaloi pa pasoja pasi Feçori kërkoi dënimin ndaj tij, madje deri edhe arrestimin e tij, por fatmirësisht ishte pikërisht vetë K. Hazbiu, i cili të paktën si dashamirës i madh i tij e mbrojti nga më e keqja, arrestimi apo edhe burgu, por duke ia bërë të qartë se tashmë nga Dinamo i lave duart njëherë e mirë, sikurse edhe ndodhi në fakt. Për ekipin tonë kombëtar, Zihni Gjinali do të shfaqej në vitin 1948 në atë barazim te madh 0-0 me Hungarinë e famshme të asaj kohe dhe do të luajë 12 ndeshje në 4 vjet duke shënuar 3 gola. Ishte koha kur luheshin vërtet takime të paharruara si ato kundër Hungarisë, Çekosllovakisë, Polonisë, Rumanisë, Bullgarisë, Jugosllavisë etj., etj. Karriera sportive Besa, Partizani, Dinamo e Gjinalit zgjat 10 vjet, 1946-1956 dhe mbi 250 ndeshje. Ai shënon diku te 80 gola dhe është disa herë kampion i Shqipërisë,  madje krejt i veçantë, lojtar e kapiten i ekipit, por edhe trajner i skuadrës. Më pas, në fillim vitet ’70-të do të jetë trajner edhe në Lushnjë, ku do të krijojë skuadrën më të mirë të të gjitha kohërave me lojtarë vendës. Do të trajnojë në Fier mes viteve ’70-të, ku gjithashtu ngre një ekip mjaft simpatik. Por, veçmas do të jetë idhulli e beniamini i qytetit të tij të zemrës Kavajës, ku në krye të Besës do të jetë disa herë Ustai. Kjo ishte nofka e përjetshme që në shenjë admirimi, besimi e simpatie i ngjitën kavajasit Zihni Gjinalit, i cili u bë i famshëm aso kohe me shprehjen e tij të mrekullueshme se, “këtu në Kavajë edhe me punu tokën me bel e lopatë nxjerr futbollistë”.

Ndërkohë kur e pyesnin për Dinamon e viteve të tija të arta, kishte  një tjetër shprehje tipike të natyrës së tij, brilante: ”mes qorrave me dy sy, unë me njërin sy shihja mjaft mirë”.

Unë rrallë kam njohur lojtarë e trajnerë autoritarë të tipit Zihni Gjinali në futbollin shqiptar, ndaj dhe besoj se veç tij, Lym Alla, Xhod Shaqiri, Fatmir Frashëri e Bejkush Birçe përbëjnë një lloj kapitulli më vete në këtë drejtim. Sikurse Skënder Begeja, Z. Gjinali,  Sabri Peqini, Skënder Jareci, Stavri Lubonja, Saimir Dauti e i fundit mes tyre, Faruk Sejdini, përbëjnë Akademinë e pankinës blu të Dinamos në gjithë këto 72 vite të ekzistencës së saj. I shkrova sot këto radhë respekti e nostalgjie, disa vjet pas largimit tënd nga kjo botë miku im i mirë e krejtësisht i veçantë, Zihni Gjinali, i bindur se në të gjallët tënd ti i pari nuk do më lejoje të shkruaja për ty, se ty personalisht kurrë nuk të pëlqenin lëvdatat e elozhet i kishe zët. Ti ishe mësuar të flisje me vepra e me rezultate dhe fjalët sikur të bezdisnin fort. Por, të siguroj se ti kisha borxh qytetar e sportiv, njerëzor e profesional gjithë sa thashë e shkrova më sipër për Ty, figurën e karrierën tënde brilante, qytetare e sportive Mjeshtri i madh, ikonë e legjendë e futbollit shqiptar dhe Qytetari model i Tironës sonë, Zihni Gjinali. Për vite me radhë kemi qenë ulur pranë njëri – tjetrit në sa e sa ndeshje kombëtare e ndërkombëtare, gjithnjë pranë dashurisë sonë futbollit, në krah të njëri – tjetrit pranë mikrofonit sportiv e në studio televizive dhe e them me plot gojën se kam qenë me fat e shumë i nderuar e i respektuar që isha e mbetem përjetësisht miku yt i mirë e i sinqertë i paharruari Zihni Gjinali.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"