Ja kushtet e Cungut për bashkinë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 7, 2016 | 11:39

Ja kushtet e Cungut për bashkinë

Armando Cungu pritet të zyrtarizohet si trajneri i ri i Vllaznisë, por përpara se Bashkia e Shkodrës të firmosë kontratën me 42-vjeçarin, ky i fundit pret që t’i plotësohen disa kushte. Edhe mbrëmë mësohet se kryebashkiakja Voltana Ademi ka zhvilluar një takim tjetër me trajnerin shkodran, ku janë diskutuar të gjitha kërkesat dhe problemet që shoqërojnë klubin.

Kukesi-Teuta 0-0, Cungu i nxehurPritet që edhe në ditët e ardhshme palët të takohen sërish për të konkretizuar marrëveshjen, në mënyrë që Cungu të nisë nga puna, pasi edhe koha deri në nisjen e kampionatit është e shkurtër. Në kushtet e kërkuara nga trajneri, nuk bëhet fjalë vetëm sa u përket kërkesave të tij ekonomike, të cilat mësohet se janë përmbushur nga kryebashkiakja. Cungu insiston që, së pari, Bashkia duhet t’u japë futbollistëve garanci financiare për të gjithë sezonin, jo vetëm për dy muaj rroga, e më pas të rikthehet sërish problematika. Pikërisht, ajo çështje për të cilën edhe vetë futbollistët kanë ngritur zërin përpara kryetarit të Bordit, Shpëtim Quku, është insistuar nga trajneri që të marrë një zgjidhje. Që në ditët e para të vitit të ri, kontaktet e Cungut me numrin një të bashkisë kanë qenë të shumta dhe tashmë mbetet për t’u parë nëse do të plotësohen të gjitha kërkesat e trajnerit që, në fakt, janë më se  normale për një ekip profesionist futbolli, e për më tepër për një klub si Vllaznia.

Kushtet

“Panorama Sport” zbardh një pjesë të garancive që kërkon Cungu nga bashkia për të marrë në dorë frenat e skuadrës. “Së pari, lojtarëve duhet t’u garantohen pagat deri në fund të sezonit. Nuk dua që në stërvitje të diskutohet mosdhënia e rrogave. Dhënia e dy-tre pagave dhe pastaj rikthimi në të njëjtën situatë nuk është zgjidhje. Të më krijohen kushtet për të afruar lojtarë gjatë merkatos, gjithnjë brenda mundësive financiare që ka klubi. Skuadra të mos udhëtojë brenda ditës në ndeshjet në transfertë, por gjithnjë 24 orë para, në mënyrë që të akomodohet në qytetet ku do të luajmë. Gjithashtu, në këtë periudhë është e nevojshme të kryejmë një minifazë përgatitore jashtë Shkodrës”. Kështu mësohet se është shprehur Cungu në takimet me kryebashkiaken. Vlen të theksohet se ish-trajneri i suksesshëm i Kukësit dhe Laçit nuk e ka parë asnjëherë vendosjen e tij në krye të ekipit, të ndarë nga problematika që po shoqëron aktualisht klubin.

Përgatiti: ADMIR URUÇI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"