“Ja kush më largoi nga Partizani”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 2, 2016 | 22:59

“Ja kush më largoi nga Partizani”

I shkarkuar nga drejtimi i klubit të Partizanit, Dritan Dervishi është rrëfyer në një intervistë për “Panorama Sport”, për githçka ka ndodhur.

dervishiAi shprehet se kanë qenë këshilltarët e presidentit Demi ata që nuk e kanë dashur në klub, duke ndikuar në një farë mënyrë edhe në vendimin e largimit të tij.

U prit që të ishit në prezantimin e drejtorit të ri të Partizanit…

Jam larguar drejt Italisë për të qenë pranë familjes sime dhe për të reflektuar në lidhje me pozicionin që më është ofruar.

Kanë folur të tjerët, por në asnjë moment ju për largimin tuaj. Mund të na zbardhni çfarë ka ndodhur në të vërtetë?

Janë ndryshime dhe reforma që me të drejtë i bën presidenti Demi. Ai më ka thënë që dështova në detyrën time, pasi nuk kam arritur fitimin e titullit kampion. Ai është pronari i klubit dhe ka gjithmonë të drejtë në vendimet që merr.

Si do ta konsideronit sezonin që sapo u mbyll për Partizanin?  A e kishit kusht fitimin e titullit kampion?

Të them të drejtën kusht nuk e kisha, por e kam marrë vetë përsipër një kusht të tillë. Sa për kampionatin, mund të them se ka qenë shumë i mirë për Partizanin. Kjo është një gjë e cila nuk mund të fshihet nga askush.

Pozicionin tuaj e ka marrë Genc Tomori. Si kanë qenë marrëdhëniet tuaja me të?

Me Tomorin kam pasur një marrëdhënie shumë të mirë bashkëpunimi gjatë kohës që isha te Partizani. Ka qenë personi i parë me të cilin unë kam folur për çdo gjë të mundshme. Me pak fjalë, një raport shumë të mirë.

E prisnit një largim të tillë nga presidenti Demi, i cili është shprehur se me ju nuk ndante të njëjtat ide?

Të them të drejtën jo. Por duke parë specialistët që ai kishte pranë, fillova të kuptoja që historia ime me klubin kishte mbaruar.

Po në lidhje me pozicionin tuaj të ri që ju është ofruar në klub…

E kam refuzuar për të mirën e Partizanit.

Cila do të jetë e ardhmja e trajnerit Agostineli te Partizani?

Nuk di asgjë në lidhje me këtë temë, por mendoj që Agostineli është zgjedhja e duhur. I vetmi që mund ta konkurrojë do të jetë një kthim i Starovës në krye të stolit. Emra të tjerë nuk mund të merren parasysh. Por këtu mund të them se është trup që përgatitësi atletik Kristiano Xhanoti, zari i Starovës, ofron trajnerë. Është mungesë totale profesionalizmi, pasi ai duhet të bëjë punën e tij.

Kush ju ka futur më shumë “shkopinj nën rrota” gjatë qëndrimit tuaj në krye të Partizanit?

Shkopinj nuk mund të them, por që këshilltarët e presidentit nuk më donin, kjo dihej. Ata ndoshta mërziteshin ngaqë nuk mund të bënin dot vetë merkaton e skuadrës. Kjo ishte e vetmja arsye përse nuk më donin. Por tani gjithçka i përket së kaluarës. I uroj fitimin e titullit kampion.

Tifozët ju kanë mbështetur deri në fund. Keni një mesazh për ta?

Ata janë dhe do të mbeten gjithmonë në zemrën time. I adhuroj dhe i kam borxh shumë.

ARMAND HALILI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"