Izmir Smajlaj kërkon historinë: Në Lojërat Olimpike, për finalen

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 26, 2021 | 12:35

Izmir Smajlaj kërkon historinë: Në Lojërat Olimpike, për finalen

Disa javë më parë Izmir Smajlaj tejkaloi veten e tij duke shënuar një tjetër rekord të ri kombëtar në garën e kërcimit për së gjati, falë rezultatit 8.16 metra që arriti në “Ditën e Kërcimeve” në Tiranë. Pas kësaj paraqitjeje, atleti i shtoi edhe disa medalje të tjera në garat ndërkombëtare, si në Europianin e Shteteve të Vogla, apo në Ligën e Tretë të Europës. Ndërsa së fundmi shkodrani është ftuar si pjesëmarrës edhe në Lojërat Olimpike që do të mbahen këtë verë, nga data 23 korrik deri më 8 gusht në Tokio, që ka qenë edhe një nga synimet kryesore.

izmir-smajlaj

Në një prononcim për “Panorama Sport”, Smajlaj ka folur për prezencën e tij në Olimpiadë, duke thënë: “Jam shumë i lumtur, pasi të marrësh pjesë në Lojërat Olimpike është një arritje e madhe në karrierën e një sportisti dhe për mua është hera e dytë që marr pjese në këtë event madhor. Për këtë pjesë dua të falënderoj shumë Komitetin Olimpik në Shqipëri e në Tokio, të cilët mundësuan ftesën time, si dhe grumbullimin që po bëj bashkë me trajnerin tim, Gjergj Ruli, në Tiranë”. Atleti shkodran që garon për skuadrën e Tiranës, më pas tregon objektivat që ka për eventin madhor të Tokios: “Synimi i parë ishte pjesëmarrja në Olimpiadë, kurse tani kam objektiv që të jem finalist. Nëse kjo do të arrihet, do të ishte hera e parë në historinë e atletikës shqiptare, gjë që do të më bënte tejet krenar të isha unë i pari shqiptar në finalen e Lojërave Olimpike”, thotë 28- vjeçari. Siç dihet, kërcimi për së gjati është një garë që vendoset edhe nga detajet, ndërsa shpesh herë në daljet e tij në media, trajneri Gjergj Ruli ka përsëritur se nga Izmir Smajlaj pritet një kërcim “bombë”.

Ruli, i cili i referohet formës së atletit, beson se shkodrani i ka të gjitha mundësitë të “shkrepë” rezultate të jashtëzakonshme. Lidhur me deklaratat e trajnerit, Smjalaj shprehet: “Gara ime është një garë individuale dhe ka të papritura në çdo moment. Në të tilla gara ka efekt tifozeria, emocionet, koha – faktorë që ndikojnë në rezultatet e çdo sportisti, jo vetëm tek unë. Siç arrita rekordin e ri kombëtar me 8.16 metra në maj të këtij viti, uroj me zemër që edhe në këtë Olimpiadë të arrij një rekord të ri personal dhe kombëtar”. Në fund rekordmeni kuqezi tregon edhe programin që do të ndjekë para olimpiadës: “Programi vazhdon intensivisht që kur kam filluar stërvitjen për sezonin 2021. Stërvitem çdo ditë nga 2 herë përreth 2-3 ore. Kam një miksim programi herë në pistë e herë në palestër, sipas vendosjes profesionale që më krijon trajneri Gjergj Ruli, për të arritur maksimumin në rezultate. Ky vit ka qenë i artë për mua, duke filluar nga 3 medaljet e para të arta që mora në sezonin dimëror e më tej në garat e bëra në këtë sezon veror, ndaj uroj që dhe kjo olimpiadë të përfundojë me një rezultat të denjë për Shqipërinë dhe veten time”, përfundoi prononcimin e tij, Izmir Smajlaj.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"