Izmir Smajlaj dëmtohet në stërvitje, do t’i nënshtrohet operacionit në menisk

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 28, 2020 | 11:28

Izmir Smajlaj dëmtohet në stërvitje, do t’i nënshtrohet operacionit në menisk

Pasi kishte lënë pas një dëmtim në tendinën e Akilit që i kishte shkaktuar jo pak problem, Izmir Smajlaj u rikthye fuqishëm duke triumfuar në Kampionatin Ballkanik “Indor”, që u mbajt në muajin shkurt në Stamboll. Por, së fundmi atleti shkodran i kërcimit për së gjati ka marrë një tjetër goditje, pasi ka pësuar një dëmtim në menisk, për të cilin do t’i duhet t’i nënshtrohet ndërhyrjes kirurgjikale.izmir-smajlaj

Në një prononcim për “Panorama Sport”, Smajlaj tregon për momentin e dëmtimit dhe kohën që do t’i duhet për t’u rikuperuar: “Ndodhi gjatë një seance stërvitore që po zhvilloja në Shkodër, ku në një provë kërcimi, ndjeva dëmtimin në gju në momentin e rënies. Bëra rezonancë dhe doli që kisha çarë meniskun. Rezonancën e kam nisur në Itali te një prej doktorëve më të mirë, i cili më ka thënë që duhet të operohem, ndërsa pas katër javësh do të kem mundësi që të rikthehem në pistë.

Por, pas çdo të keqeje ka edhe një të mirë dhe, për fat, tani afër nuk ka asnjë garë të rëndësishme, pasi të gjitha eventet e mëdha janë shtyrë për në vitin tjetër”. 27-vjeçari më pas hedh vështrimin nga e ardhmja: “E rëndësishme është që të shkojë mirë operacioni, më pas e gjithë vëmendja ime do të fokusohet për garat e vitit të ardhshëm ku kemi përpara Lojërat Olimpike, Kampionatin Botëror dhe Kampionatin Europian”.

Kujtojmë që Izmir Smajlaj, sportist i klubit Tirana, mban rekordin kombëtar në garën e kërcimit për së gjati teksa e vendosi një vit më parë në Shkodër, ku regjistroi rezultatin 8.11 metra. Smajlaj gjithashtu ka arritur të shpallet edhe kampion Europe në salla të mbyllura, teksa në vitin 2017 mahniti në Beograd, duke u ngjitur në shkallën më të lartë të podiumit, pasi dhuroi rezultatin 8.08 metra.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"