Ivani “kërcënon” Shehin: Do t’i shënoj siç bëja gjithnjë në stërvitje

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 14, 2017 | 10:02

Ivani “kërcënon” Shehin: Do t’i shënoj siç bëja gjithnjë në stërvitje

Paolo Ivani kërkon minuta ndaj Skënderbeut. Këtë kërkesë e ka për një motiv të qartë, pasi përballë do të ketë pikërisht klubin me të cilin ka kontratë (sikundër dihet, është i huazuar te Korabi prej kampionëve në fuqi të vendit në merkaton e dimrit).

ivani

Sulmuesi korçar “kërcënon” hapur Orges Shehin, ndërsa kujton se në seancat stërvitore i shënonte në çdo pozicion. Atë që bënte gjatë përgatitjeve tashmë do që ta realizojë në ndeshje zyrtare, edhe pse këtë herë do të ketë statusin e “ish”-it. Në një deklaratë të dhënë për “Panorama Sport”, Ivani shfaqet optimist për ndeshjen e kësaj jave.

“Duke qenë se jam korçar dhe futbollist i këtij klubi do të doja shumë që ta nisja nga minuta e parë kundër Skënderbeut. I kam idetë e qarta për këtë duel, pasi dua edhe që të shënoj gol për llogari të Korabit. Sigurisht që do të jetë mjaft e vështirë, sepse e njoh mjaft mirë Orgesin (i referohet portierit Shehi), por as e pamundur.

Gjatë stërvitjeve, kur luaja për Skënderbeun, i shënoja në çdo pozicion. Shpresoj që nëse do të më aktivizojnë unë të shënoj përsëri, këtë herë jo në stërvitje por në ndeshje zyrtare. Ndihem i emocionuar për të luajtur kundër Skënderbeut dhe më merr shumë malli, por profesionalizmi kështu e ka”, është shprehur sulmuesi korçar.

Korabi po kalon një periudhë mjaft të vështirë në kampionat, megjithatë forma e dobët nuk i ka demoralizuar lojtarët dibranë. Skuadra praktikisht ka rënë nga kategoria, ku tashmë lojtarët janë duke luajtur për të siguruar të ardhmen. Jo vetëm për të mbetur pjesë e Korabit, por edhe për të “joshur” ndonjë klub tjetër.

Sakaq, skuadra ka vijuar e përkushtuar përgatitjet edhe dje, ndërsa pritet që sot të marrin edhe rrugën drejt Korçës. Skuadra e Korabit në këtë takim do të jetë më e plotë, pasi do të jenë për këtë takim të gatshëm të gjithë titullarët. Gjithashtu, trajneri Haxhiu do të koordinojë përvojën me të, elementin e ri në 11-she, ndërsa veç Hoxhajt dhe Ivanit mund të ketë minuta edhe Murrja.

ABDULLA DUSHKU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"